Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka deklaruar se 201 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe të plagosur gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë përgjatë dy javëve të fundit.
Në një deklaratë për mediat, Hita tha se gjatë tubimeve janë regjistruar akte dhune ndaj punonjësve të policisë, institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, duke cenuar edhe sigurinë e qytetarëve.
Ai bëri të ditur se, nga këqyrja dhe analizimi i pamjeve filmike, deri më tani janë identifikuar 52 persona të dyshuar për përfshirje në veprime të dhunshme. Materialet procedurale për ta i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për ndjekje penale.
Sipas Hitës, hetimet vijojnë për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të akteve të dhunshme, përfshirë ato që kanë rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe qytetarëve.
Kreu i Policisë së Shtetit u bëri thirrje prindërve të tregojnë kujdes për fëmijët e mitur dhe të mos lejojnë përfshirjen e tyre në situata dhune. Ai kërkoi gjithashtu nga qytetarët të distancohen nga aktet e dhunshme dhe të bashkëpunojnë me policinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
Hita u ndal edhe te marrëdhënia e Policisë së Shtetit me median, duke theksuar se gazetarët, operatorët dhe fotoreporterët duhet të ushtrojnë lirisht dhe në mënyrë të pavarur profesionin e tyre. Ai nënvizoi rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit në terren gjatë protestave, me qëllim garantimin e sigurisë pa penguar veprimtarinë gazetareske.
Në përfundim, Hita theksoi se Policia e Shtetit do të vijojë të garantojë të drejtën kushtetuese për protestë paqësore, por do të ndërhyjë në përputhje me ligjin ndaj kujtdo që ushtron dhunë apo dëmton pronën publike dhe private.
Burimi:botasot.info
