​Ekonomia e Eurozonës shënon rritje më shumë sesa pritej

Ekonomia e Eurozonës u rrit më shumë sesa pritej në tremujorin e tretë 2026, duke dëshmuar qëndrueshmëri pavarësisht ndikimit të luftës në Lindjen e Mesme dhe rritjes së kostove të energjisë, njoftoi Eurostat.

Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) në zonën e monedhës së përbashkët që përfshin 21 vende, u rrit 0,4% gjatë këtij tremujori, një ngadalësim ky krahasuar me normën prej 0,6% të regjistruar në tremujorin e dytë, por kjo shifër ishte më e lartë se parashikimi prej 0,2% i ekonomistëve të anketuar nga Bloomberg.

Bert Colijn, kryekonomist në ING, tha se rritja u regjistrua pavarësisht faktit se Franca, ekonomia e dytë më e madhe në eurozonë, shënoi sot një tkurrje tremujore 0,1%, duke thelluar shqetësimet mbi financat e saj publike dhe tensionet politike para zgjedhjeve presidenciale në vitin 2027.

“Kjo shifër tregon se, duke marrë parasysh edhe të dhënat e gjashtë muajve të parë të vitit, ekonomia franceze nuk ka shënuar rritje gjatë vitit 2026”, tha ai.

Ndërsa në Gjermani, ekonomia më e madhe e Evropës, rritja ishte më e lartë se sa pritej, duke arritur në 0,2% gjatë periudhës korrik-shtator, pas një zgjerimi prej 0,3% në tremujorin e dytë. Italia nuk regjistroi asnjë rritje ekonomike në tremujorin e tretë, ndërsa Spanja ruajti ritmin e saj me një rritje 0,6%.

Burimi:botasot.info