Shkup, 7 Maj – Në kushtet e ndërtimit të unitetit ndërmjet NATO-s dhe Bashkimit Evropian, lidhur me pushtimin rus të Ukrainës, Qeveria e Maqedonisë e ka harmonizuar plotësisht politikën e saj të jashtme me politikat e NATO-s dhe BE-së. Nisur nga rirregullimet gjeostrategjike, Lidhja Demokratike i bën thirrje Qeverisë që të kërkojë mbështetjen e vendeve anëtare të NATO-s që janë edhe anëtare të BE-së, për të siguruar zhbllokimin në fillim të negociatave të Maqedonisë me Bashkimin Evropian.
“Anëtarët me ndikim të BE-së, si Gjermania dhe Franca, mund ta bindin Bullgarinë që të heqë veton për fillimin e negociatave pa asnjë kusht dhe shantazh, sepse kërkesat e Sofjes zyrtare janë në kundërshtim me kriteret evropiane dhe anakronike në shekullin e 21-të.
Në të njëjtën kohë, shprehim rezerva për qëndrimet e shprehura nga lidershipi shtetëror-politik se ekziston një qëndrim i vetëm midis partive në pushtet dhe opozitës, që bullgarët të inkorporohen në Kushtetutë, si zëvendësim për fillimin e negociatave me BE-në, duke harruar maqedonasit në Bullgari.
Bashkimi Evropian – PO, shantazheve – JO, më në fund të sillemi si shtetarë dhe me dinjitet!”, thonë nga LD.