Policia e Kosovës pritet të përfshihet nga ndryshime në disa prej pozitave të rëndësishme drejtuese, në një kohë kur institucioni po kalon nëpër një periudhë të ndjeshme pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm, Gazmend Hoxha, dhe zhvillimeve pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë.
Burime të Bota sot brenda Policisë së Kosovës bëjnë të ditur se në kuadër të këtyre lëvizjeve pritet të ketë ndryshime në drejtimin e disa departamenteve dhe drejtorive rajonale.
Sipas këtyre informacioneve, në mesin e zyrtarëve që pritet të preken nga ndryshimet janë Agron Nezaj, Afërdita Mikullovci dhe Luan Keka.
Agron Nezaj, i cili aktualisht udhëheq Departamentin e Hetimeve, pritet të largohet nga kjo pozitë. Ky departament ka rol të rëndësishëm në hetimin e veprave penale, përfshirë krimin e organizuar dhe rastet e rënda kriminale.
Afërdita Mikullovci, e cila është në krye të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Jugut që nga viti 2018, sipas burimeve të Bota sot, pritet të transferohet nga kjo pozitë në strukturat e trafikut rrugor. Mikullovci është një nga gratë e para që ka udhëhequr një drejtori rajonale të Policisë në Kosovë.
Ndryshimet pritet ta përfshijnë edhe Luan Kekën, i cili udhëheq Drejtorinë Kundër Terrorizmit. Ai ka një përvojë të gjatë në këtë strukturë dhe është përmendur si drejtues i saj prej disa vitesh.
Sipas burimeve të Bota sot brenda Policisë, këto lëvizje pritet të bëhen gjatë ditës së sotme, ndërsa ende nuk ka një njoftim zyrtar për vendimet përfundimtare dhe arsyetimin e tyre.
Kujtojmë se dorëheqja e Gazmend Hoxhës erdhi më 30 tetor, pesë ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Pas largimit të tij, në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm është emëruar Fehmi Hoti.
Bota sot ka kontaktuar burimet e saj brenda Policisë së Kosovës për të mësuar më shumë rreth këtyre ndryshimeve, ndërsa mbetet të shihet nëse ato do të konfirmohen zyrtarisht nga udhëheqja e re e institucionit.
Burimi: botasot.info
