Kosova pas aktgjykimit të 16 shtatorit/ Limaj del në teren, takime në Ferizaj e Kaçanik

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka nisur një cikël takimesh me strukturat e partisë, bashkëpunëtorë, aktivistë dhe qytetarë, me temën “Kosova pas aktgjykimit të 16 shtatorit”.

Takimet e para Limaj i zhvilloi në Kaçanik dhe Ferizaj, ku diskutoi për zhvillimet aktuale politike dhe sfidat me të cilat po përballet Kosova.

Përmes një postimi, Limaj ka bërë të ditur se gjatë këtyre bashkëbisedimeve janë ngritur shqetësime të shumta, që lidhen me mbrojtjen e dinjitetit të luftës së UÇK-së, miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, gjendjen ekonomike, sigurinë dhe përkeqësimin e gjendjes sociale.

Shkrimi i plotë:

Sot, në Kaçanik dhe në Ferizaj, së bashku me strukturat udhëheqëse të NISMA, bashkëpunëtorë dhe aktivistë, nisëm ciklin e takimeve me temën “Kosova pas aktgjykimit të 16 shtatorit”!

Bashkëbiseduam për gjendjen aktuale politike dhe sfidat me të cilat po përballet vendi ynë. Nga këto bashkëbisedime dolën shqetësime të shumta të qytetarëve, që lidhen me mbrojtjen e dinjitetit të luftës së UÇK-së dhe miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, gjendjen ekonomike, sigurinë e Kosovës, si dhe përkeqësimin e gjendjes sociale dhe shtimin e rasteve të dhunës në shoqërinë tonë.

Veçanërisht, qytetarët shprehën shqetësim dhe zhgënjim për mënyrën se si është vepruar me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe kthimin e tij në Kuvend. Ata kërkojnë qartësi dhe presin përgjegjësi.

Kosova nuk është më e njëjta pas 16 shtatorit, aktgjykimi i 16 shtatorit në Hagë nuk mund të shihet vetëm si çështje e individëve që po gjykohen. Pasojat e tij shtrihen shumë më gjerë. Ai ka goditur rëndë Kosovën, ka prekur dinjitetin e luftës çlirimtare dhe ndjenjën e drejtësisë së qytetarëve tanë. Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri dhe këtë të vërtetë nuk mund ta lëkundë asnjë aktgjykim.

Do t’i vazhdojmë këto takime në të gjitha qytetet, me bashkëpunëtorë, aktivistë dhe qytetarë, për t’i dëgjuar nga afër shqetësimet, kërkesat dhe pritjet e tyre.

Kosovës i duhet përgjegjësi, vendosmëri dhe veprim. Përballë sfidave me të cilat po përballet vendi, institucionet duhet të jenë në nivel të detyrës dhe të veprojnë në interes të shtetit dhe qytetarëve.

Burimi: botasot.info