Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike e Italisë u ka bërë thirrje shitësve të mëdhenj me pakicë, operatorëve të logjistikës ushqimore dhe kompanive të ftohjes industriale që të forcojnë masat e sigurisë pas sulmeve kibernetike në disa vende evropiane, transmeton Anadolu.
Siç raporton agjencia italiane e lajmeve ANSA, paralajmërimi erdhi pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve të ftohjes që prekën të paktën katër supermarkete të Coop-it në Sicili, duke shkaktuar prishjen e ushqimeve.
Giuseppe Spadaro, drejtor i përgjithshëm i grupit Radenza, i cili operon supermarkete me markën Coop, tha se ishin shënjestruar të paktën tre dyqane në Catania dhe një në Palermo.
Sulmet ndryshuan parametrat e temperaturës në sistemet e ftohjes, duke shkaktuar mbinxehjen e banakëve frigoriferik ku ruhen ushqimet.
“Sulmi ndodhi në orën 4 të mëngjesit. Po vlerësojmë dëmet. Në disa raste, e kemi zgjidhur problemin”, tha Spadaro.
Ai tha se kompania kishte kontaktuar Agjencinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe kishte aktivizuar protokollet për hetime të mëtejshme.
Policia italiane për krimet kibernetike po heton origjinën dhe shtrirjen e sulmeve, përfshirë nëse ato lidhen me incidente të ngjashme në pjesë të tjera të Evropës, transmeton AA.
Një takim i kryesuar nga Alfredo Mantovano, nënsekretar pranë kryeministrit, është caktuar për të martën në Palazzo Chigi.
Pritet që në takim të marrin pjesë drejtuesit e agjencive italiane të inteligjencës dhe drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kibernetike.
Sulme të ngjashme raportohen në të gjithë Evropën
Incidentet vijnë pas ndërprerjeve të sistemeve të ftohjes të raportuara në Belgjikë, Suedi, Luksemburg, Estoni, Holandë dhe Irlandë.
Prokurorët federalë belgë kanë nisur një hetim pasi supermarketet raportuan se sulmuesit kishin aktivizuar nga distanca modalitetet e shkrirjes së akullit, duke bërë që temperaturat në sistemet e ftohjes të tejkalonin nivelet e lejuara.
Komisioneri i BE-së për Bujqësinë dhe Ushqimin, Christophe Hansen, i cilësoi incidentet si “një përpjekje të qëllimshme për të ndërprerë zinxhirin tonë të furnizimit me ushqime dhe për të minuar besimin e konsumatorëve”.
Hansen tha se do ta ngrinte këtë çështje me kolegët e tij komisionerë në takimin e ardhshëm.
Burimi:botasot.info
