Ka ndërruar jetë sot (3 nëntor) në Spitalin e Traumës avokati Saimir Vishaj.
Vishaj, 60 vjeç, ishte prej disa ditësh i shtruar në Spitalin e Traumës, ku ndodhej i intubuar, pas dëmtimeve të marra pasi ishte rrëzuar nga shkallët.
Gjendja shëndetësore e avokatit ishte paraqitur tepër e rënduar edhe gjatë ditës së djeshme, çka bëri që mjekët ta intubonin. Pavarësisht përpjekjeve të bluzave të bardha, Vishaj nuk ka mundur të mbijetojë.
Më herët ai kishte arritur të fitonte luftën me sëmundjen e rëndë që kishte pasur, por ky rrëzim i fundit nga shkallët duket se ka qenë fatal për juristin e njohur.
Jeta dhe karriera, kush ishte Saimir Vishaj?
Ai ishte një prej emrave të njohur të botës së drejtësisë në Shqipëri. Përgjatë karrierës së tij, ai u angazhua në fushën e avokatisë penale, ishte pjesë e disa çështjeve të bujshme gjyqësore dhe u bë një personazh i njohur edhe përmes daljeve të shpeshta publike në media.
Vishaj kishte përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në vitin 1996, ku ishte diplomuar jurist. Ai ushtronte profesionin e avokatit që prej vitit 1998.
Një prej angazhimeve të tij kryesore ishte drejtimi i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, detyrë që e mbajti prej vitit 2009. Ai kishte gjithashtu eksperiencë si pedagog në universitete private dhe pranë Shkollës Kombëtare të Avokatisë. Vishaj ishte përfshirë edhe në grupe pune për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.
Gjatë karrierës së tij, Vishaj ka përfaqësuar klientë në disa prej çështjeve të bujshme penale në vend. Ai ishte gjithashtu një zë aktiv në debatet publike për sistemin e drejtësisë dhe problematikat e gjyqësorit.
Në tetor të vitit 2025, avokati shpalli kandidaturën për postin e Avokatit të Popullit, duke nisur mbledhjen e firmave për të mbështetur kandidimin e tij.
Një tjetër periudhë e vështirë në jetën e tij ishte ajo e vitit 2025, kur u përball me një sëmundje të rëndë. Në një intervistë për Top Channel, në gusht të atij viti, Vishaj tregoi se kishte kaluar në gjendje kome dhe ishte intubuar, përpara se të merrte trajtim të specializuar në Itali.
Ai rrëfeu se pas trajtimit kishte nisur rikuperimin dhe synonte t’i rikthehej aktivitetit profesional, gjë që e bëri.
