GazetaMax
Lajme

Analizë/ Cila është skema e Mickovskit për të formuar Qeveri pa shqiptarët?

Shkup, 12 maj – Lideri i VMRO-së, Hristijan Mickovski, ka zgjedhur të përdorë kartën e nacionalizmit për të garuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare nëse do të mbahen. Ai po kërkon 61 deputet që të formojë qeveri pa shqiptarët. Kjo është dëshira e tij dhe e tillë do të mbetet sepse është e pamundur të ndodhë, por nëse VMRO-ja do të kthehet në pushtet gjasat maksimale janë që të kthejë azilantin Nikolla Gruevski sërish në shtet, shkruan Zhurnal.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë shtetformues kjo është e garantuar edhe me Kushtetutë, e ky fakt nuk ndryshon asnjëherë deri sa të ekzistojë ky shtet me këta kufij. Pasuesi i regjimit të Gruevizmit, Hristijan Mickovski, ka nevojë për më shumë deputet e tani po shpreh ide që qëndrojnë në ajër për formim të Qeverisë vetëm me deputet të VMRO-së. Kjo nxjerr në pah idetë e tij etnocentrise që dëshiron t’i shërojë ambiciet e sëmura, se ndoshta edhe pa shqiptarët mund të funksionojë ky shtet, mbase mund të shërohet nga ky kompleks por asesi nuk do mundet ta ndryshojë këtë realitet.

Mjaft më ishte që partitë politike maqedonase garonin në zgjedhje me gojën plotë anti-shqiptarizëm, për të fituar një grusht votash. Tani më kanë ndryshuar rregullat e “lojës”, shqiptarët janë pjesë e pandashme e këtij shtetit. Shteti nuk është i askujt sepse është i të gjithëve që jetojnë e kontribuojnë në këtë vend.

Bie fjala shteti nuk mund të jetë edhe i azilantit Nikolla Gruevski, e as ky nuk mund të jetë pjesë e shtetit sepse ai as nuk jeton këtu, edhe kur ka jetuar ka të kaluar të hidhur që ka dëmtuar më shumë seç ka mundur, bashkë me grupin e tij të cilët tashmë disa janë prapa grilave. Ky në vend të burgut zgjodhi kampet e azilanteve në Hungari, u arratis nga vendi me kokën mbrapa për tu kthyer ndonjëherë, për të vazhduar me shkatërrimin aty ku e ka lënë.

E kjo krejt me ndihmën e pasuesit të tij Mickovski të cilit i jep instruksione online pa pagesë, se si duhet të veprojë që VMRO-në ta kthejnë sërish në pushtet. Parti politike e cila pos regjimit të shkaktuar për asgjë tjetër nuk mbahet në mend.

Këta instruksione veçse se kanë filluar të kenë sukses në praktikë, sidomos pas zgjedhjeve lokale ku numrin më të madh të komunave i fitoi kjo parti, prandaj ato rezultate ishin nxitëse që tani nga kjo parti të kërkojnë edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Mickovski duke iu referuar ndikimit të Bashkimit Demokratik për Integrim, lidhur me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare tha se kjo nuk varet nga askush tjetër përveç marrëveshjes së tij me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Ndërkaq, Kovaçevski nuk mund të ishte kryeministër pa miratimin e BDI-së.

Mes tjerash ai thotë që e ardhmja e vendit duhet vetëm ta ndërrojë selinë nga BDI-ja të varet prej VMRO-së, harron që qytetarët janë ata që e kanë të ardhmen e vendit në dorë. Qytetarët të bëjnë kryeministër qytetarët të bëjnë azilant.

“Të ardhmen e Maqedonisë sonë do ta krijojmë në bazë të nevojave të qytetarëve. Prandaj kërkojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, sepse nuk do të lejojmë që në Reçicë të Vogël të krijohet e ardhmja. Jam i sigurt se në zgjedhje do t’i fitojmë 61 deputetë”, ka thënë Hristijan Mickovski, lider i VMRO-së në emisionin “Top Tema”

Por, e ardhmja e vendit krijohet në Kuvend, as në Reçicë e as në seli të VMRO-së, Kuvendi është vendi në themelet e të cilit është Kushtetuta e vendit. Nuk mund të jesh mbi Kuvend nëse nuk shkel mbi Kushtetutë, e nëse e shkel Kushtetutën mikut e udhërrëfyesit Gruevski duhet t’i kërkosh ta rezervojë një shtrat edhe për ty në azilinë e Hungarsië.

Të përgatitesh për zgjedhje të parakohshme parlamentare me një diskurs të nacionalizmit se do të bësh Qeveri vetëm me 61 deputet të VMRO-së, nënkupton që ende votuesin maqedonas e konsideron “dele” që hanë barë, sepse i madh e i vogël i moshuar e i ri e dinë të gjithë se pa shqiptarët nuk mund të ketë Qeveri.

Prandaj përveç që janë deklarata boshe nuk janë asgjë më tepër, sepse edhe regjistrimi i fundit dëshmoi se shqiptarët janë mbi 30%, për dallim prej maqedonasve që janë 54%, janë dy etnitë më të mëdha në vend, që po pati urrejtje reciproke vendi nuk do të ketë progres në asnjë drejtim.

I kujtojmë Mickovskit, se tani në kohën që po kërkon Qeveri pa shqiptarët, në vend kryetar Kuvendi është një shqiptar, në Kuvend ka 33 deputetë shqiptarë, ndërkaq me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shëndetësisë, Arsimit, Ekonomisë, Financave, Shoqërisë Informatike, Mjedisit Jetësor, Sistem Politik, për Diasporë, me të gjithë këto ministri të lartë përmendura udhëheqin shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.

Mes tjerash shqiptarët kanë gjetur rrugën e shpëtimit dhe avancimit ata sot në Maqedoninë e Veriut kanë tre Universitete, dhe nuk ka barrierë që mund të pengojë këtë rrugëtim pa mbarim drejt arsimimit, avancimit dhe kontributit të shqiptareve për vendlindjen e tyre. Prandaj dokrrat ani-shqiptare kanë marrë fund, kush është kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut është kundër shtetit, sepse shqiptarët i ke në krye të shtetit duke punuar për të mirën e të gjithë qytetarëve pa dallim. /Zhurnal.mk

Related posts

Nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje në Tabanoc

Gazetamax.mk

“Hidrocentralet dëmtojnë natyrën në malin Sharr”/ Parku nacional i kërkon Qeverisë të mos japë leje

Gazetamax.mk

1.3 miliardë euro do të kushtojë autostrada që do të lidhë Tetovën me Ohrin

Gazetamax.mk