GazetaMax
Lajme

Në mungesë të Zejdit, në krahë të djathtë të Gashit ishte Kovaçevski

Shkup, 16 maj – Dje Alternativa në kongresin e parë partiak zgjodhi sërish në krye të partisë të vazhdojë kryetari deritanishëm, Afrim Gashi, edhe për një mandat 4 vjeçar. Por ajo që ra në sy nga ky kongres ishte mungesa e njërit prej themeluesve të partisë, që konsiderohej krahu i djathtë i kryetarit të partisë, deputeti Zejd Rexhepi. Mirëpo nga fotografitë e publikuara shihet se mungesën e Zejdit, Gashi e ka plotësuar me prezencën e kryeministrit të vendit, Dimitar Kovaçevski duke e ulur në krahun e djathtë të tij, shkruan Zhurnal.

Afrim Gashi, vulosi edhe njëherë dukurinë e shndërruar në normalitet te partitë politike ku në garë për kryetar partie është çdoherë kryetari aktual cili do qoftë pa pasur një kundër kandidat të paktën për t’i dhënë kuptim demokratik asaj fitore. Prandaj këto zgjedhje më shumë reflektojnë si imponime sesa zgjedhje kuptimplota, për faktin se nuk ke çfarë të zgjedhësh kur ke vetëm nja kandidat, vetëm duhet të votosh.

Por, ajo që e bëri kongresin e parë partiak të kësaj partie të pa kompletuar ishte mungesa e njërit prej themeluesve të partisë, Zejd Rexhepit, i cili nuk ishte prezent në kongres. Sipas tij prezenca e tij në kongres nuk do të kishte kuptim pas deklaratave të para disa ditëve, ku kishte paralajmëruar edhe fundosjen e partisë, e nuk përjashtonte edhe mundësinë e largimit nga partia.

Nga tre shok me ideal të fuqishëm Bilall Kasami, Zejd Rexhepi e Afrim Gashi, ngelën të ndarë e të përçarë madje nuk dihet se cili mbeti pa krahë të djathtë sepse që të tre përfunduan të vetmuar. Por, pamjet e fundit të fotografive të publikuara nga kongresi djeshëm i partisë së Gashit ku ishin dyshja e pandarë nga treshja e ndarë, tregojnë që ky i fundit, Gashi, mungesën e Zejdit e kishte plotësuar me prezencën e kryeministrit të vendit, Kovaçevski, të cilin e kishte ulur në krah të djathtë të tij.

Por nga një subjekt i ri politik në skenën publike, kanë provuar pozicione e koalicione të ndryshme, herë në opozitë e herë në pozitë, madje shumë herë nga pozita kanë tentuar të luajnë rolin e opozitës. Megjithatë, përbrenda partisë ishin në gjendje stabile pa grupe zjarri, por së fundmi nuk po shkojnë punët si duhet në këtë parti sepse janë shfaqur pakënaqësi të mëdha pikërisht nga një bashkëthemelues i partisë.

Alternativa nga opozita kaloi në pushtet duke marrë një numër të konsiderueshëm pozitash, madje në mes të pandemisë Ministrinë e Shëndetësisë, pastaj Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës, ministrin pa resor për diasporë, zëvendës ministra dhe drejtori të shumta, por 100 ditshi i qeverisjes së Alternatives në Qeverinë e Kovaçevskit nuk dha rezultate konkrete, këtë e thotë edhe deputeti i kësaj partie Zejdi.

Përpos kësaj nga kjo parti krekoseshin se janë partia e parë politike shqiptare që po bëhen pjesë e qeverisjes me një marrëveshje të nënshkruar me kryeministrin Kovaçevski, për përmbushjen e programit të tyre, ku në fokus kishin zbardhjen e rasteve të montuara, konkretisht kërkim të hetimit ndërkombëtar për rastet për të cilat dyshohet se janë të montuara politikisht.

Por në 100 ditët e para të qeverisjes nuk kanë bërë asnjë lëvizje të vetme në këtë drejtim dhe qartazi e lirshëm mund të thuhet se prezenca e tyre në Qeveri është vetëm numër për të mos u rrëzuar kjo Qeveri.

Alternativa edhe se është pjesë e pushtetit sërish nuk është rahat. Ajo që po e prish rahatinë e kësaj partie në Qeveri janë plasaritjet përbrenda partisë të cilat sipas Zejdit, njëri nga themeluesit e partisë, flet edhe për fundosje e shkatërrim total, nëse nuk ndryshohet mendësia.

Përderisa Alternativa publikonte ditë me rradhë punët që kanë bërë të emëruarit e tyre në krye të detyrave që janë, duke e cilësuar si të suksesshëm 100 ditshin në Qeverinë e Kovaçevskit, nuk mendon njëjtë edhe deputeti i kësaj partie Zejdi i cili ka thënë se në 100 ditët e para nuk u realizua asnjë nga pikat që kishte në program Alternativa kur u bë pjesë e Qeverisë, që nënkupton se ka konfirmuar dështimin e partisë së tij.

Ndryshe, edhe përkundër problemeve të shumta të brendshme nga kjo parti kanë realizuar kongresin e parë partiak, me çka kanë rivendosur në krye të partisë, kryetarin e deritanishëm, Afrim Gashin, i cili ishte edhe kandidati i vetëm për këtë pozitë.

Në historinë e partive politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, është traditë e trashëguar edhe pse askund e shkruar, se po u bëre njëherë kryetar i tillë duhet të mbetesh deri në frymën e fundit. Kjo është e tmerrshme, madje partitë më lehtë ndërrojnë orientimin ideologjik, sesa një kryetar që është alergjik nga pozitat tjera, vetëm i tillë do të mbetet.

Mos krijimi i një hapësire për një të dytë pas tyre, shkakton kaos edhe para edhe pas tyre, shumë parti janë ndarë e janë përçarë, disa janë formuar e pa u formësuar veçse janë shkatërruar, krejt kjo si pasojë e këtij mentaliteti të ngulitur se kryetari është i pari pa një të dytë pas tij.

Partitë politike shqiptare kanë kryetar që duan të pensionohen si të tillë, madje i ngjasojnë “mjaltës” sikurse nuk u skadon afati asnjëherë. Po e zgjasin jetëgjatësinë në pozita kryetareske edhe nëse partitë janë në “vdekje klinike”.

Ali Ahmeti nga BDI kryetari më jetëgjatë në historinë e shtetit 20 vite në këtë pozitë, pas tij vjen Menduh Thaçi nga PDSH me 16 vite kryetar në këtë parti, i treti në rradhë është Bilall Kasami nga Lëvizja Besa me 8 vite në krye të partisë, Ziadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët 4 vite në krye të kësaj partie, tani veçse i zgjedhur edhe për një mandat tjetër, dhe Afrim Gashi nga Alternativa 4 vite në krye të partisë, i rizgjedhur edhe për një mandat tjetër katër vjeçar. /Zhurnal.mk

Related posts

Bekteshi: Ndjesë gazetarëve, krenarë që vendi nuk ka më monopol në sektorin e energjisë

Gazetamax.mk

Ahmeti në drekë pune me Ramën: Ajo që u nënshkrua determinon të ardhmen e përparuar të vendeve tona

Gazetamax.mk

Vazhdon gjykimi për vrasjen e Denis Tot

Gazetamax.mk