Tronditje në Wall Street: gjigantët e teknologjisë humbin qindra miliarda dollarë pas zgjedhjeve në SHBA

Kompanitë më të mëdha të teknologjisë në Shtetet e Bashkuara kanë humbur qindra miliarda dollarë nga vlera e tregut të enjten, pasi rezultatet e zgjedhjeve të mesit të mandatit shtuan frikën se zhvillimi i inteligjencës artificiale (AI) mund të ngadalësohet, raporton BBC.

Shumë kandidatë demokratë që fituan garat e tyre e kishin ndërtuar fushatën mbi premtimin për të frenuar ndërtimin e qendrave të të dhënave (data centers), infrastrukturës pa të cilën nuk funksionon teknologjia e AI-së. Anembanë SHBA-së, në fletëvotime ishin edhe dhjetëra iniciativa që synonin kufizimin e këtyre objekteve.

Ndër zërat më të fortë ishte guvernatorja e zgjedhur e Teksasit, Gina Hinojosa, e cila gjatë fushatës mbajti qëndrim të ashpër ndaj qendrave të të dhënave dhe premtoi pezullimin e ndërtimeve të reja në këtë sektor.

Nasdaq hyn në “zonën e korrigjimit”

Indeksi Nasdaq Composite, ku dominojnë aksionet e teknologjisë, e mbylli ditën me rënie prej mbi 5,5 për qind. Sipas të dhënave të Dow Jones, kjo nënkupton humbje prej rreth 2,5 trilionë dollarësh në kapitalizim tregu.

Edhe indekset e tjera kryesore amerikane shënuan ditën më të keqe që nga viti 2025. S&P 500 ra 4,4 për qind, ndërsa Dow Jones Industrial Average humbi mbi 3,4 për qind, duke fshirë fitimet e së mërkurës.

Me këtë rënie, Nasdaq ka hyrë në atë që analistët e quajnë “zonë korrigjimi”, kur vlera e një indeksi ose e një kompanie bie të paktën 10 për qind nën nivelin e saj më të lartë të kohëve të fundit.

Prodhuesit e çipave, më të goditurit

Goditjen më të rëndë e morën kompanitë e lidhura ngushtë me qendrat e të dhënave, sidomos prodhuesit e çipave dhe të gjysmëpërçuesve. Aksionet e Nvidias ranë mbi 9 për qind, duke i hequr kompanisë më shumë se 400 miliardë dollarë nga vlera e tregut.

AMD dhe Micron humbën secila mbi 17 për qind, Intel ra 10,3 për qind, ndërsa prodhuesi i kartave të memories SanDisk pësoi rënie prej mbi 22 për qind. Indeksi i Gjysmëpërçuesve i Filadelfias, i cili ndjek 30 kompanitë më të mëdha të këtij sektori, ra mbi 12 për qind.

Në total, të ashtuquajturat “shtatë të mrekullueshmet” e teknologjisë, mes tyre Apple, Nvidia dhe Tesla, humbën brenda një dite tregtimi rreth një trilion dollarë nga vlera e tyre.

Musk humb në bursë dhe në zgjedhje

Të goditura rëndë u gjendën edhe kompanitë e Elon Muskut. Aksionet e SpaceX ranë 8 për qind dhe ato të Teslës gati 11 për qind, me një humbje të përbashkët prej mbi 300 miliardë dollarësh në vlerë tregu.

Musk kishte shpenzuar gati 450 milionë dollarë për të mbështetur fushatat republikane, përfshirë të paktën 45 milionë dollarë për Ken Paxtonin në garën për ulësen e Senatit nga Teksasi. Megjithatë, në valën e fitoreve demokrate të së martës mbrëma, edhe Teksasi kaloi në anën e demokratëve.

Frikë e re për investimet në AI

Sipas Susannah Streeter, strategjiste kryesore e investimeve në Wealth Club, rënia e fortë në Wall Street po përhapet edhe në tregjet e tjera. Ajo vlerësoi se dyshimet ekzistuese, nëse shumat e mëdha të investuara në infrastrukturën e AI-së do të sjellin fitimet e pritura, tani po përplasen me perspektivën e një ngadalësimi të ndjeshëm të ndërtimit të qendrave të të dhënave.

Disa drejtues të industrisë kanë pranuar se reagimi i votuesve ndaj qendrave të të dhënave i zuri në befasi. Presidenti dhe bashkëthemeluesi i OpenAI, Greg Brockman, tha të mërkurën mbrëma në konferencën WSJ Tech në Napa të Kalifornisë se të gjithë ishin befasuar dhe se duhet punuar më shumë që komunitetet lokale ta pranojnë këtë infrastrukturë. Sipas tij, kompanitë nga San Francisko nuk mund ta bindin publikun në Teksas apo në Xhorxhia vetëm me postime në rrjete sociale, por duhet të jenë të pranishme në ato komunitete.

Presidentja e Metas, Dina Powell McCormick, deklaroi në të njëjtën konferencë se industria duhet të angazhohet shumëfish më shumë për t’ia shpjeguar publikut përfitimet e inteligjencës artificiale.

Krahas efekteve të menjëhershme të zgjedhjeve, një pjesë e investitorëve shprehin shqetësim se aksionet e lidhura me AI-në mund të jenë në një “flluskë”, e cila herët a vonë do të pësojë korrigjim.

Burimi:botasot.info