GazetaMax
Lajme

Rishikimi i buxhetit javën e ardhshme

Shkup, 21 Maj – Rishikimi i buxhetit javën e ardhshme do gjendet para deputetëve. Nga Qeveria njoftuan se propozimi për rishikimin e buxhetit të shtetit, tashmë është dërguar në Kuvend dhe presin që nga e hëna shërbimet t’ia dorëzojnë deputetëve. VMRO-DPMNE përmes një komunikate tha se propozimi për rishikimin e buxhetit nuk do ta ndryshojë gjendjen aktuale ekonomike dhe do të vazhdojë, siç thonë ata, kaosi ekonomik.

“Shkurtimi i investimeve kapitale dëshmon se kjo Qeveri nuk ka as plan e as vizion që Maqedonia të dalë nga kriza ekonomike, për të cilën është përgjegjëse. Nëse kësaj i shtohet edhe realizimi i dobët, atëherë arrijmë në përfundim se nuk do të ketë pothuajse asnjë aktivitet të qeverisë në këtë drejtim, vendimtar për ekonominë. Rishikimi i buxhetit tregon se kjo Qeveri në kohë krize ka projektuar qindra milionë euro shpenzime joproduktive, nga të cilat vetëm një pjesë po shkurtohen”, thonë nga VMRO- DPMNE

Nuk dihet ende se si do të ndikojë bllokada aktive e Kuvendit, e iniciuar nga VMRO-DPMNE në votimin e rishikimit të buxhetit. Deputeti Nikolla Micevski, kur u paralajmërua bllokada opozitare e Kuvendit, tha se partia do të bllokojë çdo gjë që është e dëmshme për qytetarët, por se do të marrin pjesë aktive në debatin për rishikimin e buxhetit. Partia në pushtet pret arsye të shëndoshë nga opozita. Socialdemokratët janë të bindur se propozimi i qeverisë do të kalojë.

“Rishikimi do të gjendet shumë shpejt para deputetëve, nuk pres që të bllokohet, përkundrazi ne si shumicë jemi të gatshëm të përdorim të gjitha mjetet dhe të gjitha mundësitë që jep rregullorja për miratimin e rishikimit dhe ligjeve të tjera, sepse është e rëndësishme në kushte të tilla kur përballemi me krizë energjetike dhe ekonomike”, tha Darko Kaevski – zëdhënës i LSDM-së

Sipas Rregullores së Kuvendit, debati për rishikimin mund të zgjasë maksimumi pesë ditë dhe më pas kalohet në votim. Në votimin e fundit për riprogramimin e arkës së shtetit nga prilli i vitit të kaluar, publiku ishte dëshmitar i tensioneve dhe sulmeve të ndërsjella mes ligjvënësve nga qeveria dhe opozita. Shumica në atë kohë mezi arriti të krijojë kuorum për votim, pasi opozita njoftoi se do të largohej nga salla, ndaj ministrja aktuale e Kulturës, e sëmurë me koronavirus u shfaq me skafandër. 

Related posts

Caktohet rundi i ri i bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë

Gazetamax.mk

Ruskoska paralajmëron përgjigje në komisionin disiplinor në afatin e paraparë

Gazetamax.mk

Përkeqësohet situata me gripin, mbi 200 kontrolle vetëm në Kozle

Gazetamax.mk