Laboratori i kokainës në Frakull, SPAK kërkon konfiskimin e 16 pasurive mbi 2 milionë euro

SPAK ka kërkuar konfiskimin e 16 pasurive të paluajtshme në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë të Nikolin dhe Klevent Gjolenës, të lidhur me laboratorin e kokainës të zbuluar në fshatin Frakull në nëntor të viti 2024. Pasuritë, të regjistruara në Tiranë dhe Durrës, kapin vlerën e tregu mbi 2 milionë euro.

Në listën e pasurive për të cilat kërkohet konfiskimi përfshihen 3 apartamente dhe 2 garazhe në Tiranë, si dhe 3 njësi tregtare e 8 apartamente në zonën e Plazhit në Durrës.

Sipas SPAK, hetimet kanë evidentuar gjithashtu pesë transferta monetare në vlerën 42.942 dollarë dhe 404.733 euro, të kryera në emër të familjarëve të personave nën hetim. Paratë kanë ardhur nga vende të ndryshme të Amerikës Qendrore dhe rajonit të Karaibeve, të cilat Prokuroria i cilëson si parajsa fiskale.

Sipas SPAK, Nikolin Gjolena, Klevent Gjolena dhe personat e lidhur me ta nuk kanë arritur të provojnë ligjshmërinë e burimeve financiare të përdorura për krijimin e pasurive.

Vlera e tyre në momentin e nënshkrimit të kontratave llogaritet rreth 1 milion euro, ndërsa sipas çmimeve aktuale të tregut kalon 2 milionë euro.

Lidhja me sekuestrimin e 485.5 kg kokainë në Frakull

Procedimi pasuror lidhet me hetimet penale ndaj Nikolin Gjolenës dhe Klevent Gjolenës për trafikimin e lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Hetimet kanë të bëjnë me sekuestrimin e 24 nëntorit 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Fierit, ku u zbuluan 485.5 kilogramë kokainë të fshehura në një ngarkesë me pleh organik artificial, të trafikuar nga Kolumbia drejt Shqipërisë.

Nikolin Gjolena është dënuar me 11 vite e 4 muaj burgim nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin e qershorit 2024. Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit në dhjetor të po atij viti.

SPAK bën me dije se hetimet vijojnë për gjurmimin dhe identifikimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme që mund të jenë përfituar nga veprimtaria e paligjshme kriminale.

Hetimet janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe strukturat e Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit.

Burimi:botasot.info