Komisioni Evropian ka konfirmuar përparimin e Drejtorisë së Doganave të Maqedonisë së Veriut në raportin e fundit për progresin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Këtë e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, duke theksuar rezultatet e arritura në kuadër të Kapitullit 29 – Bashkimi Doganor.
Sipas Dautit, një ndër treguesit më të rëndësishëm është rritja e të ardhurave të arkëtuara nga Drejtoria e Doganave gjatë vitit 2025, të cilat ishin 5,2 për qind më të larta se në vitin 2024, duke tejkaluar shumën prej 2,1 miliardë eurosh.
Në raport theksohet gjithashtu avancimi i sistemeve të inteligjencës, menaxhimit të rrezikut dhe shkëmbimit të informacioneve, të cilat mundësojnë kontrolle më efikase dhe luftë më të fuqishme kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar.
Me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, janë forcuar ndjeshëm kapacitetet e Sektorit për Kontroll dhe Hetime, përmes sigurimit të automjeteve të reja, pajisjeve mbrojtëse dhe pajisjeve moderne të teknologjisë informative, duke rritur edhe sigurinë e operacioneve doganore.
Një tjetër aspekt i vlerësuar është vazhdimi i zbatimit të Strategjisë për Integritet dhe Luftë kundër Korrupsionit 2024–2027, si dhe procesi i digjitalizimit të shërbimeve doganore.
Në këtë drejtim, është siguruar mirëmbajtja dhe zhvillimi i mëtejshëm i sistemit të Mjedisit të Integruar Tarifor, ndërsa ka filluar faza pilot e sistemeve për regjistrimin dhe identifikimin e operatorëve ekonomikë, menaxhimin e unifikuar të përdoruesve dhe nënshkrimin digjital EORI.
Komisioni Evropian vlerëson gjithashtu shkallën e lartë të harmonizimit të legjislacionit doganor me atë të Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, Tarifa Doganore për vitin 2026 është miratuar dhe harmonizuar me Nomenklaturën e Kombinuar të BE-së.
Përparim është evidentuar edhe në bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar, përfshirë ratifikimin e Protokolleve 5 dhe 6, të cilat krijojnë një kornizë për lehtësimin e tregtisë përmes bashkëpunimit doganor dhe liberalizimit të tregtisë së shërbimeve.
Rezultatet e evidentuara në raportin e Komisionit Evropian dëshmojnë për avancimin e kapaciteteve institucionale, modernizimin e shërbimeve dhe përafrimin e mëtejshëm të Drejtorisë së Doganave me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.
