Gjashtë makina policie në ndjekje të futbollistit të Newcastle, çfarë ndodhi me mbrojtësin boshnjak

Newcastle në alarm, policia mobilizon 6 makina për shkak të një lojtari! Dedic përfundon në qendër të një incidenti të pazakontë

Mbrojtësi boshnjak u pikas me hark dhe shigjeta pranë një rezervuari, duke shkaktuar shqetësim te banorët. Policia ndërhyri me disa patrulla, por pas verifikimeve konfirmoi se pajisjet përdoreshin për argëtim. Një episod i pazakontë ka përfshirë Newcastle United, këtë herë jo për shkak të rezultateve në fushën e lojës, por për një incident që ka vënë në lëvizje policinë britanike. Protagonisti ishte mbrojtësi 24-vjeçar boshnjak Amar Dedic, i cili u pa duke mbajtur një hark dhe shigjeta, në shoqërinë e një miku, pranë një rezervuari në zonën e Military Road. Pamja e tyre shqetësoi një qytetar, i cili njoftoi menjëherë policinë.

Reagimi i autoriteteve ishte i konsiderueshëm. Në zonë u dërguan të paktën gjashtë automjete policie, mes tyre edhe disa njësi që dyshohet se i përkisnin forcave të reagimit të armatosur. Pas kontrolleve, efektivët arritën të ndalonin automjetin e Dedic rreth 11 kilometra më larg, në zonën e Darras Hall. Në makinë u gjetën dhe u sekuestruan harku dhe shigjetat, ndërsa futbollisti u mor në pyetje për aktivitetin e tij.

Në vendngjarje mbërritën edhe portieri i Newcastle, Mark Gillespie, dhe ish-mbrojtësi Paul Dummett, të cilët ndodheshin rastësisht në afërsi dhe ndaluan për të ofruar ndihmë. Policia e Northumbria konfirmoi se kishte marrë njoftimin rreth orës 13:55 të së mërkurës. Pas verifikimeve, autoritetet arritën në përfundimin se pajisjet përdoreshin për argëtim dhe se nuk kishte asnjë kërcënim për sigurinë publike. Megjithatë, hetimet për incidentin vijojnë.

Nga ana e Newcastle nuk pritet të ketë masa disiplinore ndaj futbollistit, i cili është një nga afrimet pozitive të skuadrës këtë sezon. Dedic iu bashkua anglezëve gjatë verës nga Benfica, për rreth 29.5 milionë euro, dhe ka regjistruar katër asiste në 11 paraqitje. Pavarësisht situatës së pazakontë, mbrojtësi pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Matthias Jaissle për sfidën e së shtunës ndaj Fulhamit.

Burimi: botasot.info