Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska sot fillon vizitën e saj të punës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë vizitës, Petrovska do të takohet në Pentagon me nënsekretarin e Mbrojtjes për Çështje Politike, Kolin Kal, si dhe do të takohet me ndihmëssekretaren e Mbrojtjes Seleste Uallander, komandantin e Gardës Kombëtare të SHBA-së, gjeneralin Daniel Hokanson, komandantin e Gardës Kombëtare të Vermontit, gjenerali Gregori Najt dhe sekretaren e Armatës tokësore të SHBA-së Kristin Vormunt.
Siç informoi Ministria e Mbrojtjes, gjatë vizitës së saj të punës në SHBA, ministrja Petrovska do të takohet edhe me ndihmëssekretaren shtetërore dhe shefe të Byrosë për çështje ushtarako-politike, Xhesika Luis, në Departamentin Amerikan të Shtetit.
“Do të diskutojmë për partneritetin transatlantik, promovimin e vlerave euroatlantike, zhvillimet aktuale gjeopolitike dhe kërcënimet e sigurisë, por do të flasim edhe për projektet për modernizimin e Armatës që po zbatojmë me ndihmën e konsiderueshme amerikane dhe pajisje amerikane nga teknologjia e fundit”, porositi Petrovska nga Uashingtoni.
Agjenda e Ministres Petrovska parasheh pjesëmarrjen në dialogun e parë strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, ku do të jetë pjesë e delegacionit qeveritar të Republikës së Maqedonisë së Veriut të udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ku do të jetë edhe ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi si dhe ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska.
“Me mbajtjen e dialogut strategjik, Maqedonia e Veriut dhe SHBA po hyjnë në një fazë të re në ndërtimin e marrëdhënieve të ndërsjella, e cila është veçanërisht e rëndësishme jo vetëm për vendin, por edhe për të gjithë rajonin, veçanërisht në kontekstin e kërcënimeve aktuale të sigurisë. Njëkohësisht, është shprehje e përpjekjeve tona të përbashkëta për forcimin e lidhjeve dhe promovimin e vlerave të përbashkëta për zhvillim demokratik dhe stabilitet në rajon”, tha Petrovska.
Në programin e vizitës së Petrovskës janë edhe takime në Shtëpinë e Bardhë, Këshillin e Sigurisë Kombëtare, si dhe takime me përfaqësues zyrtarë të lartë të NDI dhe IRI. Petrovska në këto takime do të jetë së bahsku me ministrat tjerë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që do të jenë pjesë e dialogut strategjik në mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së.