Një derë e re shprese për fëmijët dhe familjet e tyre në Malësi/“Jehona e Malësisë” siguron hapësira për shërbime mbështetëse dhe terapeutike për fëmijët me autizëm dhe aftësi të kufizuara

Shoqata “Jehona e Malësisë” ka ndërmarrë një nismë të rëndësishme në mbështetje të fëmijëve me autizëm dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara, si dhe familjeve të tyre.

Më 5 nëntor 2026, organizata ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Zyrën e Famullisë Katolike “Shna Ndout” – Misioni Françeskan Tuz, për marrjen në përdorim të disa hapësirave në Qendrën Shpirtërore Katolike në Sukruq.

Këto hapësira do të shërbejnë për zhvillimin e aktiviteteve dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse e terapeutike për fëmijët në spektrin e autizmit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, duke krijuar një mjedis të përshtatshëm për zhvillimin e tyre dhe për mbështetjen e familjeve.

Nga Shoqata “Jehona e Malësisë” vlerësojnë se kjo marrëveshje përbën një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një komuniteti më gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë ka mundësi të ndihet i pranuar, i respektuar dhe i mbështetur në zhvillimin e potencialit të tij.

Me këtë rast, organizata ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Zyrës së Famullisë Katolike “Shna Ndout” – Misioni Françeskan Tuz, për besimin, gatishmërinë dhe mbështetjen e treguar në realizimin e kësaj nisme me rëndësi për komunitetin.

Në një njoftim publik, Shoqata bën të ditur se në periudhën në vijim do të publikojë informacione lidhur me mundësitë e punësimit dhe procedurat e aplikimit për personat e interesuar që dëshirojnë të angazhohen në ofrimin e këtyre shërbimeve.

Po ashtu, prindërit dhe kujdestarët do të informohen në kohë për mënyrën e regjistrimit dhe paraqitjes së fëmijëve për të përfituar nga shërbimet dhe trajtimet që do të ofrohen.

Kjo nismë synon të krijojë më shumë mundësi për fëmijët dhe familjet e tyre, duke dëshmuar se bashkëpunimi dhe solidariteti janë hapa të rëndësishëm drejt një shoqërie që kujdeset për të gjithë.

“Së bashku, ndërtojmë një komunitet që kujdeset për çdo fëmijë.”
Shoqata “Jehona e Malësisë”
Kryetar: Zef Berishaj

Ja postimi plotë:

Një hap i rëndësishëm në mbështetje të fëmijëve dhe familjeve të tyre

Organizata “Jehona e Malësisë” njofton komunitetin se, më 5 nëntor 2026, ka nënshkruar një marrëveshje me Zyrën e Famullisë Katolike “Shna Ndout” – Misioni Françeskan Tuz, për marrjen në përdorim të disa hapësirave të Qendrës Shpirtërore Katolike Sukruq.

Këto hapësira do të shfrytëzohen për ofrimin e shërbimeve mbështetëse dhe terapeutike për fëmijët në spektrin e autizmit dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, duke u qëndruar pranë edhe familjeve të tyre.

Për ne, ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një mjedisi mikpritës dhe gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë të ndihet i pranuar, i respektuar dhe i mbështetur në zhvillimin e potencialit të tij.

Shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë ndaj Zyrës së Famullisë Katolike “Shna Ndout” – Misioni Françeskan Tuz, për besimin, gatishmërinë dhe mbështetjen në realizimin e kësaj nisme në shërbim të komunitetit.

Në vijim, do të publikojmë informacion mbi mundësitë e punësimit dhe mënyrën e aplikimit për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të angazhohen në ofrimin e këtyre shërbimeve. Gjithashtu, do të njoftojmë prindërit dhe kujdestarët për mënyrën e paraqitjes së fëmijëve për shërbime dhe trajtime, si dhe për hapat e mëtejshëm.

Së bashku, ndërtojmë një komunitet që kujdeset për çdo fëmijë.

Me respekt,
Shoqata “Jehona e Malësisë”
Kryetar,
Zef Berishaj