Të paktën 21 persona kanë humbur jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë është përmbysur në brigjet e Senegalit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë për gjetjen e personave të tjerë që mund të kenë qenë në bord, përcjell “Bota sot”.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Senegalit, në një deklaratë të publikuar të dielën, varka e njohur si pirogë hasi vështirësi në ujërat pranë zonës së Kébémerit, në veriperëndim të vendit.
Deri më tani, ekipet e shpëtimit kanë arritur të gjejnë vetëm një të mbijetuar, ndërsa nuk dihet ende numri i saktë i personave që ndodheshin në bord.
Në reagimin zyrtar, qeveria e Senegalit shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave, duke nderuar kujtimin e personave që humbën jetën në këtë tragjedi.
Gjithashtu, autoritetet riafirmuan angazhimin për të luftuar rrjetet e trafikimit dhe kontrabandës së emigrantëve, duke bërë të ditur se do të forcojnë bashkëpunimin me vendet fqinje për të parandaluar raste të ngjashme.
Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) e Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar se rruga e Atlantikut mbetet një nga itineraret më të rrezikshme për emigrantët nga Afrika Perëndimore që synojnë të arrijnë në Evropë.
Sipas IOM-it, shtimi i kontrolleve në pikat tradicionale të nisjes në Senegal, Marok dhe Mauritani ka bërë që gjithnjë e më shumë emigrantë të kërkojnë rrugë alternative, përfshirë nisjen nga Gambia.
Këto udhëtime mund të përfshijnë distanca detare deri në rreth 2 mijë e 200 kilometra, duke i ekspozuar emigrantët ndaj qëndrimeve të gjata në det, kushteve të vështira atmosferike, dehidratimit dhe rrezikut të mbytjes apo zhdukjes.
Tragjedia e fundit në Senegal rikthen në vëmendje rreziqet me të cilat përballen mijëra njerëz që ndërmarrin udhëtime të rrezikshme përmes Oqeanit Atlantik, në përpjekje për të arritur në Evropë.
Burimi:botasot.info
