​Zjarr në Zvërnec, flakët rrezikojnë pyllin me pisha

Një ndërtesë e vogël, e cila shërbente për magazinimin e materialeve të peshkimit në zonën e Zvërnecit, në pjesën ku kanali i lagunës se Nartes lidhet me detin, është përfshirë nga flakët mesditën e sotme.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Vlorës, të cilat kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve.

Zjarri rrezikonte të përhapej edhe në pyllin me pisha pranë ndërtesës, por ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur neutralizimin e situatës.

Sipas shërbimit zjarrfikës, paraprakisht dyshohet se shkak i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike.

Ndërkohë, pritet të përcaktohen rrethanat e plota të ngjarjes. Për momentin ka vetëm dëme materiale.

Burimi:botasot.info