​Varka me emigrantë fundoset pranë Senegalit

Të paktën 21 persona humbën jetën pasi një varkë që transportonte emigrantë u mbyt pranë bregdetit të Senegalit.

Deri më tani është gjetur vetëm një i mbijetuar, njoftuan autoritetet të dielën.

Ministria e Brendshme e Senegalit bëri të ditur se deri të shtunën në mbrëmje ishin gjetur 21 trupa, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë për të gjetur ndonjë të mbijetuar të mundshëm.

Autoritetet shtuan se ky numër viktimash është i përkohshëm, pa specifikuar se sa persona ndodheshin në varkë.

Sipas mediave lokale, varka u përmbyt pranë Kebemerit, rreth 180 km në veri të Dakarit, afër dunave të Loumpoul, në veriperëndim të Senegalit.

Gazeta “Le Soleil” raportoi se shumica e viktimave ishin nga zonat Leona dhe Thieppe, në departamentin e Kebemerit.

Sipas grupit për të drejtat e emigrantëve “Walking Borders”, të paktën 635 persona kanë vdekur përgjatë kësaj rruge vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti.

Burimi:botasot.info