Tetovë, 8 Qershor – Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës, në vazhdën e aktiviteteve akademike për analizë të pasojave nga Pandemia COVID-19 dhe krizës energjetike në ekonominë e vendit, në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sot organizoi debat shkencor, me temë: “Sfidat ekonomike në periudhën post pandemike”.
Dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Raman Ismaili, në fjalën e tij theksoi se situata post pandemike goditi shumë dimensione të jetës shoqërore, si në rrafshin nacional po ashtu edhe në atë global, por ajo që sot do të debatohet duhet të përfshijë dimensionin ekonomik, si një nga përcaktuesit e mirëqenies ekonomike. “Drama ekonomike e kësaj periudhe, që erdhi si pasojë e pandemisë Covid 19, krizës energjetike dhe sulmit të Federatës Ruse mbi një shtet sovran siç është Ukraina, rezultoi me goditje të shumta makroekonomike të ekonomive nacionale. Vlerësoj se, tema bosht e këtij tubimi është komplekse, multidimensionale dhe e qëlluar duke pasur parasysh faktin se, në shumë aspekte ekonomitë nacionale të vendeve tona tani ndodhen në udhëkryq të veprimit të mëtutjeshëm për të përmirësuar ekonomitë e tyre”, tha dekani i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Raman Ismaili.
Drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni u përqendrua tek sfidat e biznesit gjatë periudhës së krizave. Ekonomia dhe biznesi planifikohet në bazë të pritjeve ndërsa sfida kryesore është paqartësia mbi atë se çfarë do të ndodhë në nivel botëror, në nivel global, dhe ajo që do të reflektohet në ekonominë e vendit dhe normalja e sotshme është se asgjë nuk është normale. Konflikti Rusi-Ukrainë reflektohet edhe tek ne, dhe efekti i parë i kësaj krize ishte definitivisht çrregullimi i zinxhirit të furnizimeve dhe më vonë rritja masive e çmimeve të shumë produkteve të ndryshme, nënvizoi mes tjerash Drejtori i OEMVP-së, Drilon Iseni.
Në këtë debat, temat e tyre i prezantuan panelistët: Prof. Dr. Shirete Elezi, Prof. Dr. Bardhyl Dauti dhe Prof. Dr. Merale Fetahu. Prof. Dr. Shirete Elezi e prezantoi temën: “Ndikimi i masave ekonomike në financat publike gjatë krizës së Covidit dhe krizës energjetike në RMV dhe vendet e Rajonit”, Prof. Dr. Bardhyl Dauti foli mbi temën: “Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor në kursin e paktit te rritjes dhe stabilitetit, COVID-19 dhe krizës ekonomike globale” dhe profesoresha Prof. Dr. Merale Fetahu e prezantoi temën: “Ndikimi i krizës në bilancin tregtar të vendit”.
Në përmbyllje të këtij aktiviteti, profesoresha Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftijari i falënderoi panelistët, stafin akademik, afaristët, studentët dhe të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre. “Qëllimi i këtij debati ishte që të gjenerohen ide të reja për tejkalimin e krizave të cilat erdhën njëherit nga pasoja e Covidit, tani edhe nga kriza politike. Këtu nuk jemi për të gjetur fajësi, por thjesht të gjendet një mënyrë apo të kontribuohet në minimizimin e rreziqeve nga të cilët jemi shumë të kërcënuar, të gjejmë mënyra dhe metoda për tejkalimin sa më të lehtë të këtyre krizave”, tha Prof. Dr. Aida Yzeiri – Baftijari.