Mickoski: Provimi i jurisprudencës nuk do të mbahet i tëri në shqip, pjesa praktike do të jetë vetëm në maqedonisht

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se provimi i jurisprudencës nuk do të mbahet në tërësi në gjuhën shqipe, por zgjidhja që do t’i paraqitet Qeverisë parasheh ndarjen e tij në dy pjesë.

Sipas Mickoskit, studentët do të kenë mundësi që pjesën e provimit që lidhet me studimet e tyre universitare ta japin në gjuhën në të cilën kanë përfunduar arsimin e lartë, nëse ajo është gjuhë tjetër nga maqedonishtja. Ai sqaroi se në vend studimet zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, turke dhe angleze.

Ndërkaq, pjesa praktike e provimit të jurisprudencës, e cila përfshin simulimin e një procesi gjyqësor në procedurë penale dhe civile, do të zhvillohet në gjuhën maqedonase.

Mickoski theksoi se kjo zgjidhje mbështetet në parimin lingua franca, duke argumentuar se gjuha maqedonase duhet të jetë gjuha e përbashkët e sistemit të drejtësisë, pasi kjo lidhet me sundimin e ligjit dhe jo me çështje të tjera politike.

Së pari, nuk do të ketë kërkesë dhe as vendim me të cilin provimi i jurisprudencës do të jepet në gjuhën shqipe, por zgjidhja që do të paraqitet në mbledhjen e Qeverisë përmban dy pjesë.

Pjesa e parë parasheh që studentët të kenë mundësi që pjesën e provimit që lidhet me studimet e tyre universitare, të cilat i kanë ndjekur në një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, ta japin në gjuhën në të cilën kanë përfunduar arsimin e lartë. Në Maqedoni, studime të tilla zhvillohen në tri gjuhë: shqip, turqisht dhe anglisht.

Pjesa tjetër e provimit, përkatësisht ajo që lidhet me provimin e jurisprudencës dhe përfshin simulimin e një procesi gjyqësor në procedurë penale dhe civile, do të zhvillohet sipas parimit lingua franca, pra në gjuhën maqedonase.

Me këtë, edhe një herë konfirmohet se sistemi i drejtësisë funksionon sipas parimit lingua franca, që në këtë rast është gjuha maqedonase, pasi kjo lidhet me sundimin e ligjit dhe jo me të drejta të tjera apo me çështje politike që ndërlidhen me këtë temë.

Unë e komentoj këtë çështje në këtë drejtim. Ky është qëndrimi ynë që nga fillimi, si Qeveri, dhe në këtë aspekt nuk kemi bërë asnjë ndryshim.

“Ky është qëndrimi ynë që nga fillimi i mandatit të Qeverisë dhe në këtë drejtim nuk kemi bërë asnjë ndryshim”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.