​Trump thotë se FBI po heton aferën e shefit të Nvidia me spiunin e dyshuar kinez

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se FBI-ja po heton një aferë midis drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s dhe një spiuni të dyshuar kinez, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Trump tha se foli me Jensen Huang të hënën pas raportimeve se SHBA-të besonin se ai ishte shënjestruar në një fushatë spiunazhi kinez.

“I bëra atë pyetje, ‘A kishe ndonjë ide se ajo ishte spiune?’ Ai tha ‘Nuk kisha asnjë ide se ajo ishte spiune’ dhe unë vërtet e besoj atë,” u tha Trump gazetarëve.

Pekini ka hedhur poshtë pretendimet se Huang ishte në shënjestër, me ministrinë e saj të jashtme që tha se akuzat ishin “krejtësisht të pabaza, spekulative dhe të destinuara për të njollosur dhe shpifur Kinën”.

Duke folur më vonë në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump u tha gazetarëve: “E di që FBI po heton” këtë çështje, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi hetimin, as nuk konfirmoi se kur filloi ai.

Trump shtoi se mendonte që Huang ishte një “djalë i ndershëm dhe ndihem shumë i sigurt se ai do të jetë në gjendje të mirë” pas hetimeve.

FBI-ja refuzoi të komentojë kur u kontaktua nga BBC.

Nvidia, e cila ka porositur një hetim të pavarur për çështjen që përfshin Alice Huang, e cila dyshohet se është spiune kineze, tha se nuk kishte arsye të besonte se sekretet e kompanisë ose siguria kombëtare ishin kompromentuar.

Burimi:botasot.info