Ministri Hoxha thirrje shqiptarëve në Luginë: Dilni masivisht në votime

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marrin pjesë masivisht në votimet e sotme dhe të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre demokratike.

Në mesazhin drejtuar bashkëatdhetarëve në Luginë, Ministri Hoxha thekson se pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë themelore demokratike dhe një mundësi e rëndësishme që zëri i tyre të dëgjohet e të ketë peshën që meriton.

“Çdo votë ka rëndësi. Sa më e madhe pjesëmarrja, aq më i fortë është zëri juaj për të drejtat, përfaqësimin dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, shprehet Ministri.

Ministri Hoxha e përmbyll mesazhin me thirrjen: “Dilni dhe votoni. Për zërin tuaj, për të drejtat tuaja, për të ardhmen tuaj.”