GazetaMax
Uncategorized

A do i duhej Shqipërisë një president si z.Demiraj? – Qendra “George C. Marshall Albania” mbështet kolonelin

Nga Ermal Jauri, drejtor ekzekutiv “George C.Marshall, Albania”

Një nga kandidaturat e mundshme për President të Republikës së Shqipërisë, i propozuar nga Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” është tashmë edhe koloneli (r) Dr. Dritan Demiraj. Karriera e tij është e gjatë dhe e mbushur jo vetëm me aktivitete ushtarake, por edhe me kontribute akademike (autor i një liste të gjatë librash për çështjet e terrorizmit, gjeopolitikës e të sigurisë). Ka një jetë të larmishme me kontribute në SHBA, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Meqenëse është e thjeshtë të gjendet një jetëshkrim i tij kudo në internet, do të doja ta komentoja këtë propozim të “Vatrës” nisur nga një pyetje shumë e thjeshtë: A do i duhej Shqipërisë një president si kol. Demiraj?

Nëse ne i referohemi figurës së presidentit në vendin tonë mund të shohim lehtësisht se në karrierën e tyre të gjithë ata burra që e kanë mbajtur këtë post, kanë pasur pak pushtet e shumë presion politik, pak rezultate e shumë ambicie, pak kohë e shumë telashe, etj. Mund të vazhdohet gjatë me këto kundërshti që sjell ai post, pasi e tillë është politika jonë kombëtare: Nuk prodhon dot paqe dhe e detyron një president që të bëhet “o me ne, o kundër nesh”.

Kjo është arsyeja e parë se përse kol. Demiraj do të duhej të ishte president. Si një ushtarak karriere ai ka në kodin e tij të rrënjosur profesional devotshmërinë që kanë ushtarakët ndaj detyrës, kështu që lehtësisht mund të jetë mbi palët. Sepse ashtu si çdo ushtarak, edhe ai betimin e ka bërë për vendin e tij, jo për politikën. Jo më kot sillet shpeshherë si shembull emri i ish-presidentit Moisiu, duke e marrë shembull për sjelljen e tij anash palëve. Ai vetë e ka interpretuar këtë gjë si efekt të ish-profesionit të tij të ushtarakut.

Por, nëse do të donim të merrnim si argument një emër të pranueshëm nga të gjitha palët atëherë kemi arsyen e dytë që kol. Demiraj mund të jetë emri i duhur për president. Nëse kujtojmë periudhën kur ai mbajti postin e ministrit të Brendshëm, ai ishte pjesë e një kabineti të majtë, i referuar nga të djathtët dhe i pakundërshtuar nga askush. Fakti që e bëri detyrën për aq kohë sa qëndroi me seriozitet e përkushtim, pa i dhënë asnjë notë politike, është një mesazh për t’u pasur parasysh.

Një president ish-ushtarak, me funksionin e Komandantit të Përgjithshëm, në një periudhë që po rikthen fuqishëm në Europë kërcënimet ushtarake, investimet në infrastrukturën e Mbrojtjes dhe rreziqet që kanë të bëjnë me luftën konvencionale etj., do të ishte njeriu i duhur në vendin e duhur. Si ushtarak i suksesshëm karriere, kol. Demiraj do të përbënte një rast unik mes presidentëve ballkanikë e më gjerë, për njohuritë që do të kishte për sa i takon kuptimit të veprimeve luftarake të mundshme që mund të ndodhin në një rajon. Natyrisht që kjo vetëdije ndaj rreziqeve të tilla do të përkthehej në veprimtari politike të presidentit.

Fakti që koloneli gëzon një respekt të konsiderueshëm në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut përbën një arsye tjetër që ai të ishte emri i duhur për t’u bërë President i Shqipërisë. Ky respekt do të shndërrohej në afrimitet politik dhe do t’i shtonte akoma më tepër besimin reciprok shteteve tona në politikat e përbashkëta; sidomos ato të fushës së mbrojtjes. Mund të shtojmë këtu, që njohuritë e tij për NATO-n, mund të viheshin fare mirë në dispozicion të një politike për antarësimin e shpejtë të Kosovës në NATO. Edhe sikur të propozonte thjesht iniciativa të ndryshme për sigurinë e mbrojtjen, për Kosovën e Shqipërinë, përsëri do të ishte diçka pozitive dhe që një civil nuk mund ta bëjë më mirë se sa një ish-ushtarak i zoti.

Sugjerimi që vjen nga “Vatra” ka në vetvete një mesazh: kol. Demiraj është një emër i pëlqyer, i besuar dhe që sjell shpresë edhe te ata që e shohin politikën shqiptare nga jashtë. Duke u bazuar jo vetëm te vlerat e tij të treguara në karrierën e zhvilluar në Shqipëri, por edhe te ato vlera që ai i ka shfaqur ndaj komunitetit shqiptar të SHBA-së, vatranët e kanë propozuar pa mëdyshje emrin e tij për president. Thjesht e vetëm për këtë arsye, ai mbase nuk duhet të jetë president, por kjo është një tjetër arsye e vlefshme për t’u marrë parasysh.

Të punosh e të drejtosh misione luftarake speciale në front, është një aftësi që ai e ka shfaqur me prova. Si komandant misioni në Afganistan ai ka qenë në krye të misionit të parë luftarak të forcave speciale shqiptare (“Eagle 1”) dhe shumë misioneve të tjera që vijuan më tej, në terren, duke bashkëpunuar ngushtë me forcat speciale amerikane dhe aleantët. Nga Shqipëria, ai ka përcjellë çdo mision të këtij formati që kryen forcat speciale në Afganistan. I vetmi dëmtim që trupat tona speciale pësuan në këto tetë misione luftarake, ishte humbja e jetës së Dëshmorit të Atdheut, kapiten Feti Voglit.

E tillë është jeta e një ushtaraku. Betimin e bën të jetojë për interesat kombëtare të vendit. Prandaj në shumë vende të botës kur një ish-ushtarak është në krye të një institucioni e shohin me sy më dashamirës dhe i besojnë më shumë. Ky besim e kjo dashamirësi do të ishte arsye më tepër për ta parë si president kol. Demiraj.

Mbase është e tepërt që të themi se këto misione i kanë dhënë atij edhe një besueshmëri të lartë në sytë e aleatëve e sidomos të amerikanëve, me të cilët ka operuar në zonat e vështira në Afganistan. Ky besim që në ushtri dhe institucione përkthehet në disa certifikata sigurie dhe medalje të shumta ndërkombëtare e bën figurën e tij të testuar ndërkombëtarisht për pastërtinë dhe devotshmërinë në kryerjen e detyrës. Kjo arsye nuk do të kapërcehet nga asnjë kandidat tjetër i mundshëm për president, pasi nuk do të ketë emra që kanë kaluar aq misione dhe aq shumë përvojë sa ai, dhe që të kenë kryer veprime konkrete në teatrin operacional të luftës.

A mund të ketë arsye të tjera që kol. Dritan Demiraj të ishte emri i duhur për President të Republikës së Shqipërisë? Natyrisht që ka. Vetë karriera e tij është një arsye e pandërprerë shumëvjeçare që konfirmon emrin e tij. Por, mbi të gjitha, është integriteti i tij i cili është edhe më lart se sa karriera.

Duke e mbyllur këtë arsyetim të shkurtër lidhur me një emër që mund të sillte vertetë një dimension të ri në Presidencë, po përmend një shprehje të ish-presidentit Kenedi, mbajtur në një fjalim para marinsave amerikanë: “Çdo arritje fillon me vendimin për të provuar…” Mund të ishte një president i guximshëm e me integritet në një skenë politike të paparashikueshme. Dhe Kol. Demirajt, guximi për të provuar nuk i mungon. Këtë e ka dëshmuar me prova.

Related posts

Musk dëshiron që Trump të kthehet në Twitter: Gabim ta hiqni atë

e-max

A mund ta zbatojë Putini skenarin ukrainas në Ballkan? Deshifrimi diplomatik dhe ushtarak i një paralajmërimi të ri rus

e-max

Video | 21-vjeçarja përdhunohet virtualisht

e-max