GazetaMax
Lajme

A po lëshon pe VMRO-DPMNE-ja?

Shkup, 18 Shtator – Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, tha se si parti nuk janë aspak kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë dhe të asnjë bashkësie tjetër etnike, por sipas tij, problem është Marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe kushtëzimet që pasojnë nga kjo marrëveshje. 

“Absolutisht nuk jemi kundër përfshirjes së bullgarëve në Kushtetutë, ne e kemi shprehur qëndrimin tonë, por ka shumë gjëra në Marrëveshje që janë baza e të gjitha pretendimeve asimiluese dhe negative të një vendi fqinj ndaj nesh. Le të zgjidhen të gjitha çështjet e diskutueshme në lidhje me to. Ne absolutisht nuk jemi kundër bullgarëve dhe jo vetëm kundër bullgarëve, por edhe të tjerëve për përfshirjen në Kushtetutë”- Nikolla Micevski, koordinator i GP të VMRO-DPME-Së

Kjo deklaratë ngjalli reagime të shumta online, duke u interpretuar sikur VMRO-DPMNE po tërhiqet nga qëndrimet e saj për mos mbështetje të futjes së bullgarëve në Kushtetutë, gjë që bëri që Micevski në Facebook të sqarohet se “ndryshime kushtetuese nuk do të ketë sepse GP i VMRO-DPMNE-së nuk do të votojë për ndryshim të Kushtetutës”.

Po nga LSDM deklaratën e Micevskit e konsiderojnë si kthim shpine ndaj Mickoskit.

“Deklarata e Nikolla Micevskit se VMRO-DPMNE-ja nuk është kundër ndryshimeve kushtetuese dhe përfshirjes së bullgarëve si dhe popujve të tjerë, nënkupton kundërshtim radikal të politikave destruktive të Mickoskit. A është dikush në timonin e anijes që po fundoset?- thonë nga LSDM.

Bullgarët në Kushtetutë mund të përfshihen me hapjen e Kushtetutës dhe 80 vota deputetësh. Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani, ditë më parë deklaroi se disa njerëz nga VMRO-DPMNE kanë mirëkuptim për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë.

“Nga komunikimi im me njerëz nga VMRO-DPMNE-ja vërej se edhe atje ka mirëkuptim se ky proces nuk sjell asnjë dëm, se Maqedonia e Veriut nuk guxon të mbetet peng i interesave të përditshëm partiake dhe politike, por përkundrazi ndryshimet kushtetuese duhet të përfundojnë, sepse askush nuk dëmtohet nga ato”– tha Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme.

Përndryshe edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski para disa kohësh shkroi “nuk kanë asgjë kundër cilitdo popull dhe të drejtave të tij në Maqedoni, por janë kundër shantazheve nga Bullgaria”.

Related posts

Lufta e Perëndimit në emër të shqiptarëve

Gazetamax.mk

Shaqiri: Vajzat dhe gratë në shkencë kanë rol të pazëvendësueshëm, reforma në arsim zvogëlon hendekun gjinor

Gazetamax.mk

Moti sot me vranësira, nga e hëna pritet edhe borë

Gazetamax.mk