Politikani dhe aktivisti Eroll Abdiu ka reaguar lidhur me mënyrën e organizimit të provimit të Jurisprudencës, duke e cilësuar si problematik për studentët shqiptarë.
Sipas tij, është e pakuptueshme që studentët të ndjekin për katër vite studimet në Fakultetin Juridik në gjuhën shqipe – duke përfshirë ligjëratat dhe provimet – ndërsa në fund të përballen me provimin e Jurisprudencës në gjuhën maqedonase.
“Si është e mundur që i gjithë procesi studimor të zhvillohet në shqip, ndërsa provimi përfundimtar të jetë në një gjuhë tjetër?”, shtron pyetjen Abdiu.
Ai thekson se kjo situatë krijon vështirësi serioze për kandidatët, të cilët janë përgatitur dhe testuar gjatë gjithë studimeve në gjuhën shqipe, ndërsa në një moment kyç të karrierës së tyre përballen me barriera gjuhësore.
Abdiu kërkon që institucionet përgjegjëse të rishikojnë këtë praktikë dhe të sigurojnë që provimi i Jurisprudencës të mund të jepet edhe në gjuhën shqipe, në përputhje me procesin arsimor që studentët kanë ndjekur.
