Ahmet Abedini ka dëshmuar në Gjykata e Posaçme lidhur me vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi, ngjarje për të cilën akuzohen nga SPAK djali i tij Erisjano dhe vëllai Bujar Abedini. Ai pranoi se kishte pasur konflikte me viktimën, duke pretenduar se Selimi i bënte telefonata anonime bashkëshortes së djalit të tij në çdo orë të ditës dhe natës. Sipas tij, për këtë çështje ishte bërë kallëzim dhe palët kishin arritur një marrëveshje që konfliktet të ndaleshin.
Në dëshminë e tij, Abedini tha se ditën e ngjarjes ndodhej në punë dhe më pas kishte udhëtuar drejt Gjirokastrës për të shtruar nënën në spital. Ai theksoi se konfliktet me Selimin kishin nisur prej kohësh për shkak të telefonatave dhe mesazheve të përsëritura, si dhe për disa përplasje fizike mes viktimës dhe djalit të tij. Sipas tij, as vëllai Bujar dhe as familjarët e tjerë nuk kishin dijeni për këto telefonata, ndërsa lajmin për vrasjen e mori rreth mesnatës, përpara se të paraqitej në komisariat.
Çajup Selimi u vra në qershor 2021 në lagjen “15 Shtatori” në Tepelenë. Fillimisht u raportua se ai ishte thirrur jashtë banesës dhe ishte qëlluar me armë zjarri, por më vonë i penduari i drejtësisë Artan Tafani ka zbuluar detaje të tjera mbi dinamikën e ngjarjes, duke hedhur dritë mbi mënyrën se si u organizua dhe u krye vrasja e biznesmenit, i njohur ndryshe si “biznesmeni i miellit”.
