Me një panel diskutimi që do të mbledhë përfaqësues të politikës, diplomacisë, institucioneve dhe akademisë, nesër në Klubin e Deputetëve nis shënimi i 25 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, nën patronatin e Ministrisë së Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive dhe ministrit Agon Ferati.
Në fokus do të jenë tri tema kryesore. Paneli i parë me temë “Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe rruga drejt integrimit evropian”, do të moderohet nga zëdhënësja e Qeverisë, Venera Latifi Azizi, ndërsa pjesëmarrës do të jenë diplomatja e OSBE-së Clarisse Pasztory, kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ish kryetari i Strumicës Kostadin Kostadinov, zëvendësministrja për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov dhe ish diplomati e profesori universitar Aziz Pollozhani.

Në panelin e dytë, me temë “E ardhmja e Marrëveshjes së Ohrit dhe ndërtimi i paqes së qëndrueshme”, do të marrin pjesë Ilir Kulla, ekspert i çështjeve rajonale, Izet Mexhiti, kryetar i komunës së Çairit, Agon Ferati, ministër i dikasterit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, ministri i Jashtëm Timço Mucunski dhe diplomatja e kolumnistja Adelina Marku.
Ndërsa paneli i tretë, “Decentralizimi dhe zhvillimi lokal si shtyllë e demokracisë dhe kohezionit social”, sjell në diskutim drejtorin e qendrës Maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, Aleksandar Krzhalovskin, profesorin universitar Demush Bajramin, ish ministrin e Punës dhe politikës Sociale, Enver Huseyin, zëvendësministrin për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive Nexhdet Mustafa dhe gazetarin e kolumnistin Aleksandar Çomovski.
Ky aktivitet synon të hapë një debat mbi 25 vitet e zbatimit dhe trashëgiminë e Marrëveshjes së Ohrit, dialogun ndëretnik, përfshirjen e bashkësive, sfidat aktuale dhe perspektivën evropiane të vendit.
