Në një ceremoni të veçantë për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, të organizuar në qytetin e Windsorit në Kanada Agron Dedivanaj, përfaqësues i komunitetit shqiptar në Miçigan dhe kryetar i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, përshëndeti me krenari anëtarët e komunitetit dhe përfaqësuesit e Ambasadës së Shqipërisë dhe Konsullatës së Kosovës dhe mbarë komunitetin shqiptarë.
Dedivanaj kujtoi ngritjen e flamurit kuqezi më 28 Nëntor 1912 në Vlorë dhe sakrificën e brezave që luftuan për lirinë e Shqipërisë. Ai theksoi se flamuri simbolizon unitetin e shqiptarëve dhe krenarinë e tyre, si dhe e përshkroi atë si shenjë të gjallë të trashëgimisë dhe identitetit kombëtar.
“Ky flamur nuk valvitet nga era, por nga gjaku, besa dhe krenaria e shqiptarëve, edhe këtu në Windsor,” tha Dedivanaj, duke ftuar komunitetin që të ruajë gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare.
Ai falënderoi veçanërisht komunitetin shqiptar të Windsor-it për përkushtimin e tyre dhe Kryebashkiakun për vendimin historik që 28 Nëntori të njihet zyrtarisht si Dita e Pavarësisë së Shqiptarëve.
Ceremonia, e organizuar nga Shoqata shqipëtare e Windsorit bashkoi familje, të rinj dhe përfaqësues të institucioneve , duke dëshmuar unitetin dhe forcën e komunitetit shqiptar në diasporë.
Në këtë ditë të veçantë, pjesëmarrësit dhanë betimin për të ruajtur flamurin, gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke konfirmuar se shqiptaria mbetet e gjallë kudo në botë.
Ja fjalimi i plotë i z. Agron Dedivanaj:
Të nderuar përfaqësues të Bashkësisë së Windsor-it, të Ambasadës së Shqipërisë, të Konsullatës së Kosovës, dhe ju të dashur anëtarë të komunitetit shqiptar,
Është nder i veçantë për mua të jem sot mes jush, në një komunitet që ka ditur ta ruajë dhe ta lartësojë identitetin shqiptar me punë, me krenari dhe me unitet. Në emër të Shoqatës “Jehona e Malësisë” ju shpreh mirënjohjen më të thellë për organizimin e kësaj dite të shenjtë për kombin tonë.
Sot festojmë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë—ditën kur flamuri kuqezi u ngrit mbi Vlorë dhe shpalli para botës se ky popull është i lirë dhe i pathyeshëm. Ky flamur, siç thoshte Ismail Qemali, është shenja e shenjtë e bashkimit të kombit. Ai u ngrit mbi gjakun e dëshmorëve, mbi qëndresën e trimave shekullorë, nga Skënderbeu e deri te çdo luftëtar anonim që mbrojti Atdheun.
Në çdo valë të këtij flamuri rreh zemra e një brezi që nuk pranoi robërinë.
Ata nuk kërkuan famë—por Shqipëri. Dhe ne sot u jemi borxhli me nderim, kujtim dhe punë.
Dua të falënderoj veçanërisht komunitetin shqiptar të Windsor-it për përkushtimin shembullor, si dhe Kryebashkiakun e Windsor-it për vendimin historik që 28 Nëntori të njihet zyrtarisht si Dita e Pavarësisë së Shqiptarëve në këtë qytet. Kjo arritje mban vulën e unitetit tuaj.
Është nder të kemi këtu përfaqësues të Shqipërisë dhe Kosovës—prania e tyre nderon pikërisht punën e këtij komuniteti që e ngriti festën tonë në nivel institucional.
Sepse sot, kur flamuri kuqezi ngrihet mbi Windsor, ai ngrihet me fuqinë e një komuniteti të bashkuar. Ne jemi trashëgimtarët e atyre që sfiduan perandori dhe na lanë amanet që flamuri të mos bjerë kurrë dhe shqiptaria të mbetet e gjallë ndër breza.
Siç thoshte Faik Konica:
“Shqiptar jemi jo vetëm se kemi lindur shqiptarë, por sepse duam të mbetemi të tillë.”
Ky flamur nuk valvitet nga era, por nga gjaku, besa dhe krenaria e shqiptarëve kudo në botë—edhe këtu në Windsor.
Prandaj sot, së bashku, japim betimin tonë:
Se flamuri ynë do të valëvitet përjetë;
Se gjuha dhe kultura jonë nuk do të shuhen kurrë;
Se shqiptaria do të jetojë në çdo zemër shqiptari, kudo që ndodhet.
Gëzuar 28 Nëntorin — Ditën e Pavarësisë!

