GazetaMax
Lajme

Agron Dedivanaj: Ulqini zgjodhi “artin“, jo identitetin

Kryetari i Shoqatës “Jehona e Malësisë”, Agron Dedivanaj, ka reaguar ndaj përzgjedhjes së monumentit nga komuna e Ulqinit, i cili është dedikuar për heroin kombëtar, Gjergj Kastriotin Skënderbeun.

Në konkursin për zgjedhjen artistike morën pjesë skulptorë të shquar, ndërsa në komisionin për përcaktimin e zgjedhjes, ka qenë i përcaktuar nga komuna e Ulqinit.

Lidhur me këtë përzgjedhje, z. Dedivanaj ka theksuar se Ulqini zgjodhi “artin“, jo identitetin – Reagim publik mbi projektin për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin.

Postimi i plotë i z. Dedivanaj:

Ulqini zgjodhi “artin“, jo identitetin – Reagim publik mbi projektin për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Ulqin

Vendimi i Komunës së Ulqinit për të miratuar zgjidhjen aktuale ideore për monumentin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ka ngjallur shqetësim të thellë dhe zhgënjim të arsyeshëm në opinionin publik shqiptar. Në një kohë kur qendrat shqiptare si Tirana, Shkupi e Prishtina kanë investuar për të vendosur figura madhështore që përfaqësojnë historinë dhe krenarinë kombëtare, dhe kur Tuzi tregoi një standard të lartë përfaqësimi me monumentin e vet të Skënderbeut – Ulqini, për fat të keq, vendosi të rreshtohet në një tjetër linjë.

Zgjidhja e paraqitur nuk përfaqëson denjësisht figurën e Heroit tonë Kombëtar. Përkundrazi, perceptohet gjerësisht si një devijim estetik dhe simbolik që zbeh mesazhin historik të qëndresës dhe unitetit shqiptar. Në vend të një monumenti që përforcon lidhjet shpirtërore dhe kulturore të qytetarëve me të kaluarën dhe identitetin e tyre, është ofruar një konstruksion që shkakton debat, përçarje dhe ironi publike.

Ne nuk jemi kundër artit modern apo formave krijuese, por kur bëhet fjalë për figurën më përfaqësuese të historisë shqiptare, standardi duhet të jetë serioz, unifikues dhe përfaqësues i vlerave që Skënderbeu mishëron: guxim, liri, dinjitet dhe bashkim.

Ulqini si një komunë me shumicë shqiptare, me histori e trashëgimi të pasur, meriton më shumë. Meriton një përfaqësim të denjë, jo një eksperiment estetik që shkëput qytetin nga boshti historik dhe kulturor i qendrave shqiptare.
Le të mos ngutemi me vendime që mbesin për breza. Është e rëndësishme të veprojmë me maturi, me ndjeshmëri historike dhe me frymë përfaqësuese që nderon figurat tona kombëtare. Monumentet që i kushtohen Skënderbeut duhet të jenë të denja, të bashkojnë dhe të pasqyrojnë vlerat e përbashkëta të të gjithë shqiptarëve – pa eksperimente që mund të lënë vend për keqkuptime apo përçarje. Një qasje e kujdesshme dhe përfshirëse është çelësi për të ndërtuar një simbol që na nderon të gjithëve.

Me kënaqësi i bashkëngjitemi mendimit të çdo Shqiptari, duke shprehur ndjenjat dhe tiparet tona të veçanta që na bëjnë të jemi vetvetja. Prandaj, 5 shoqatat si më poshtë, jemi të përkushtuar që të nxisim dhe ruajmë vlerat tona kulturore, identitetin dhe shpirtin kombëtar në çdo hap të veprimtarisë sonë.

Related posts

Shqiptari Abdulhamid Rizvani drejton partinë SPD të Leverkusenit në rrethet Rheindorf dhe Hitdorf

Gazeta Max

Tërhiqen dy persona nga liqeni i Mavrovës

Gazeta Max

Mbyti babain kurse nëna në gjendje të rëndë, ja detajet për krimin e rëndë

Gazeta Max