GazetaMax
Lajme

Aleanca për Shqiptarët: Ministrit Fatmir Limani i është refuzuar viza për në ShBA, Kasami nuk e komentoi

Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës) përmes një kumtese për media thotë se ministrit për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Limanit, i është refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e detyruar të anulojë vizitën zyrtare në OKB, New York, transmeton Portalb.mk.

“Kjo është një goditje e rëndë për imazhin e shtetit, një turp për institucionet dhe një tregues alarmant i diskreditimit ndërkombëtar të kësaj qeverie. Në vend që të jepte sqarime të qarta dhe të merrte përgjegjësi, ministri Limani vonoi reagimin dhe në mbrëmje pranoi në rrjetet sociale se ka “lëvizje të kufizuara” për shkak të të kaluarës së tij politike, duke fajësuar kinse angazhimin e tij të dikurshëm. Ky është një manipulim i pastër! Fakti i vetëm i rëndësishëm është se një ministër i qeverisë i është ndaluar hyrja në SHBA – një vend aleat strategjik dhe partner kyç i Maqedonisë së Veriut. Kjo nuk mund të kalojë pa pasoja”, thuhet në kumtesën e ASH-së.

Ata kërkojnë menjëherë dorëheqjen ose shkarkimin e Fatmir Limanit, duke shtuar se ky nuk është vetëm një dështim personal i tij, “por një njollë e zezë për gjithë qeverinë”.

“Heshtja e kryeministrit dhe partnerëve të tij tregon ose paaftësi për të menaxhuar këtë krizë, ose frikë për të thënë të vërtetën. Qytetarët meritojnë një qeveri që nuk turpëron vendin ndërkombëtarisht. Partnerët tanë ndërkombëtarë duhet të dinë se ky skandal nuk përfaqëson shqiptarët dhe as vlerat euroatlantike që ne mbrojmë. Aleanca për Shqiptarët do të insistojë që ky turp të mos mbulohet! Përgjegjësia duhet të jetë e qartë dhe e menjëhershme!”, thonë nga ASH.

Për këtë gazetarët sot në Tetovë gjatë Forumit Austriako-Maqedonas për Mjedis Jetësor kërkuan qëndrim nga kreu i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, por ai tha se do të deklarohet në një rast tjetër në mënyrë që mos të defokusohet ngjarja e sotme që u mbajt në qytet.

Kujtojmë se në janar të vitit 2024 në opinion po qarkullonin informacione se ish-zv/kryeministrit të parë, dhe ish-ministër i Sistemit Politik Artan Grubi, i ishte refuzuar viza për udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Më vonë, po atë vit, ai u fut në listën e zezë të SHBA-së.

Related posts

Alarmon zëvendësministrja Dzheppar: Rusët po i zhveshin burrat tanë

Gazetamax.mk

Çeçenët pa mëshirë qëllojnë drejt banesave me civilë në Ukrainë

Gazetamax.mk

UNT përmbylli projektin kërkimor kundër dronëve vrasës

Gazetamax.mk