Ambasada e Republikës Popullore të Kinës në Shkup ka reaguar ashpër ndaj takimit të nënkryetarit të Kuvendit, Antonio Milohsoski, me një delegacion të të ashtuquajturit “Përfaqësia e Taipeit në Itali”, takim që u mbajt në ndërtesën e Kuvendit.
Sipas ambasadës, ky veprim përbën shkelje serioze të parimit Një Kinë, një angazhim i marrë nga Maqedonia e Veriut në momentin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën.
“Ky takim e minon bazën politike të marrëdhënieve tona bilaterale dhe dërgon sinjal të gabuar te forcat separatiste që kërkojnë ‘pavarësinë e Tajvanit’”, thuhet në reagim.
Ambasada rikujton dokumentet historike dhe ndërkombëtare që e konfirmojnë pozicionin e Kinës, mes tyre Deklarata e Kairos, Proklamata e Potsdamit dhe Rezoluta 2758 e OKB-së, si dhe komunikatat bilaterale të viteve 1993 dhe 2001 që e obligojnë Maqedoninë e Veriut të mos ketë marrëdhënie zyrtare me Tajvanin.
Në reagim shtohet se Milošoski, si ish-ministër i Jashtëm dhe ish-kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme, “duhej të ishte plotësisht i vetëdijshëm për ndjeshmërinë e çështjes”, duke kritikuar edhe vizitën e tij të mëparshme në Tajvan.
Nga ana tjetër, është reaguar se ndaj tij po ushtrohet presion i panevojshëm:
“Shumë presion ndaj një deputeti të zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili ka të drejtë dhe liri të realizojë takime sipas bindjeve apo interesit politik.”
Ambasada e Kinës në fund ripërsërit se çështja e Tajvanit është “vijë e kuqe që nuk mund të kalohet”, duke theksuar se Kina nuk do të tolerojë veprime që, sipas saj, cenojnë sovranitetin dhe integritetin territorial.
https://mk.china-embassy.gov.cn/eng/dshdsgxx/202511/t20251120_11757116.htm?fbclid=IwY2xjawOMT3NleHRuA2FlbQIxMABicmlkETExaXU0Mm44dERNeXFMM0duc3J0YwZhcHBfaWQQMjIyMDM5MTc4ODIwMDg5MgABHgWkJ_JhNKJrYiTyOx70sTtloE6eAdigpfrkGNKsF5SoTCql6JzrcaS1gYVl_aem_xY-R7i3LyrwRQ-tamSnNnQ&brid=gNNHg4HS45nBGTU_yu0AgA

