GazetaMax
Lajme

Ambasada e SHBA-së: Mbesin në fuqi sanksionet për Mijallkovin

Shkup, 20 dhjetor – Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten në qëndrimin për të dënuar krimin dhe korrupsionin. Të pyetur nga ALSAT për të komentuar vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit për përgjimin masiv dhe “shpëtimin” e vazhdueshëm të Mijallkovit nga vuajtja e dënimit me burg, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup thotë se pavarësisht vendimeve të tilla sanksionet amerikane për ish shefin e DSK-së mbeten në fuqi.

“Përkundër vendimeve të fundit gjyqësore për rastin “Target-Fortesa”, sanksionet e SHBA-së kundër Sasho Mijallkovit mbeten në fuqi”, njoftojnë nga Ambasada e SHBA-së në Shkup.

Ndërkohë ekipi amerikan për sanksionet pritet të kthehet sërish në Maqedoninë e Veriut për të “shkundur” institucionet dhe zyrtarët e korruptuar. Sipas ambasadës së SHBA-së vizita e fundit e tyre, nuk është e vetmja.

“Ekipi nga Uashingtoni u largua nga Maqedonia e Veriut dhe kjo ishte vizita e parë nga disa të tilla në vend”, thonë nga Ambasada e SHBA-së në Shkup.

Nga ana tjetër zyra e BE-së thotë se po ndjek me shumë vëmendje zhvillimet e fundit, por nuk ndërhyn në raste individuale dhe nuk komenton proceset gjyqësore.

“Është në interes të të gjithë qytetarëve që puna e gjyqtarëve dhe prokurorëve të bëhet në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe profesionale. Është e rëndësishme të procesohen të gjitha rastet e iniciuara nga ish-Prokuroria Speciale (PSP), duke bartur përgjegjësi edhe për monitorimin e paligjshëm të komunikimeve (përgjimet) në mënyrë që të kthehet besimi në sistemin gjyqësor”, theksojnë nga Zyra e BE-së, Shkup.

Zyra e BE-së rikujton se është kundër vetting-ut në Gjyqësor e Prokurori derisa vendi nuk i shterë të gjitha mekanizmat ekzistues, siç e bëri të qartë Komisioni i Venecias, në raportin për vitin 2022. Komisioni ka dhënë rekomandime të qarta se si të përmirësohet funksionimi i gjyqësorit duke përdorur institucionet dhe mekanizmat ekzistuese. Zbatimi i strategjisë së reformës në drejtësi duhet të bëhet në mënyrë më sistematike. Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të vazhdojnë me angazhimin e tyre për respektimin e plotë të parimit të pavarësisë së gjyqësorit dhe rritjen e transparencës, duke garantuar njëkohësisht integritetin e të gjithë bartësve të funksioneve gjyqësore, duke përfshirë përdorimin efektiv të procedurave disiplinore. /Alsat.mk

Related posts

Mexhiti: Monitorim i përforcuar i ndotjes me pajisje dhe teknologji të reja

Gazeta Max

Prej nesër 100 të punësuar në “Ujësjellës dhe Kanalizim” do të ngelin pa punë

Gazeta Max

Docherty uron Bujar Osmanin. MB mirëpret kryesimin e OSBE-së nga Maqedonia e Veriut

Gazeta Max