Qeveria propozon ndryshimin e procedurës së legalizimit për apartamentet dhe njësitë e tjera në pallatet e ndërtuara me shkelje të lejes.
Rregulli i ri është përfshirë në projektligjin që ndryshon ligjin nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, të hedhur për konsultim publik.
Për apartamentet ku blerësi ka kontratë ose aktmarrëveshje me kompaninë, legalizimi do të kryhet në emër të tij.
Njësitë për të cilat nuk ekziston kontratë apo aktmarrëveshje do të legalizohen në emër të kompanisë ndërtuese ose investitorit.
Por situata ndryshon kur kompania është mbyllur dhe është shuar juridikisht.
Nëse mbi apartamentin nuk ka të drejta të personave të tretë të depozituara në Kadastër, njësia do të legalizohet në favor të shtetit.
Pra, një qytetar që pretendon se ka blerë apartamentin, por nuk ka kontratë ose ndonjë të drejtë të regjistruar, rrezikon që prona t’i kalojë shtetit kur ndërtuesi nuk ekziston më juridikisht.
Projektligji parashikon gjithashtu që konfliktet mes ndërtuesit, blerësve dhe pronarit të truallit të mos e bllokojnë legalizimin e pallatit.
Në këto raste, Kadastra legalizon njësinë pa përcaktuar përfituesin. Pronari regjistrohet vetëm pasi gjykata të marrë vendim të formës së prerë.
Legalizimi nuk i shuan detyrimet që ndërtuesi dhe blerësi kanë ndaj njëri-tjetrit sipas kontratave të lidhura.
Kompanitë që kanë shkelur lejet e ndërtimit ose nuk bashkëpunojnë për plotësimin e dokumentacionit do t’u raportohen autoriteteve të territorit si subjekte me risk. /skyweb.al
