Arabia Saudite zbulon 110 milionë tonë xehe me uranium në Medinë

Arabia Saudite ka zbuluar 110 milionë tonë materiale të papërpunuara që përmbajnë përqendrime uraniumi në Medinë, deklaroi ministri saudit i Energjisë në Konferencën e Përgjithshme të IAEA-së në Vjenë, raportoi të hënën televizioni shtetëror saudit, përcjell Reuters.

Ministri saudit i Energjisë, Princi Abdulaziz bin Salman, njoftoi për zbulimin gjatë Konferencës së Përgjithshme të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) në Vjenë, të hënën, më 14 shtator, përcjell TV21. Ai tha se studimet gjeologjike në projektin Jabal Sayid, në rajonin e Medinës, kanë zbuluar xehe me përqendrime të larta të elementeve të tokës së rrallë, veçanërisht të elementeve të rënda, si dhe përqendrime premtuese të uraniumit.

“Eksplorimet dhe studimet gjeologjike në projektin Jabal Sayid kanë zbuluar xehe që përmban përqendrime të larta të elementeve të tokës së rrallë, veçanërisht të elementeve të rënda, krahas përqendrimeve premtuese të uraniumit”, tha Princi Abdulaziz, sipas televizionit shtetëror saudit.

Ai e përshkroi zbulimin si pjesë të përpjekjeve më të gjera të Riadit për të tërhequr investime në sektorët e energjisë dhe minierave. Arabia Saudite synon të ketë qasje në të gjithë ciklin e karburantit bërthamor, por dëshiron ta zhvillojë këtë proces në mënyrë transparente dhe nën monitorimin ndërkombëtar.

“Mbretëria ndjek një qasje të qartë të bazuar në transparencë, hapje dhe bashkëpunim ndërkombëtar”, tha ai para delegatëve të IAEA-së.


“Ajo nuk synon ta zhvillojë programin e saj paqësor bërthamor e izoluar nga komuniteti ndërkombëtar dhe as përmes aktiviteteve sekrete apo në objekte të fshehura thellë në male.”
Zbulimi vjen disa muaj pasi Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruan marrëveshje në korrik për zhvillimin e programit civil bërthamor të mbretërisë, si pjesë e një partneriteti më të gjerë afatgjatë.