Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Avni Arifi, ka ngritur shqetësime për gjendjen në sektorin energjetik në Kosovë, duke paralajmëruar një dimër të vështirë për qytetarët dhe rrezikun e një krize energjetike dhe financiare.
Në emisionin “Intervista e javës” në KosovaPress, Arifi ka kritikuar menaxhimin e sektorit energjetik, me theks të veçantë te vonesat në remontin e bllokut B1 të Termocentralit Kosova B, për të cilin pretendon se nuk është përgatitur me kohë për t’u rikthyer në funksion.
Sipas Arifit, blloku B1 është dashur të rikthehej në operim më 1 nëntor, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të vonesave në përgatitjen e objektit për renovim. Ai pretendon se kompania përgjegjëse për remontin është përballur me probleme që lidhen me largimin e mbetjeve dhe pastrimin e hapësirës nga asbesti.
Arifi vlerëson se këto vonesa mund të zgjasin edhe tre deri në katër muaj, duke theksuar se Kosova tashmë përballet me mungesë të rreth 370 megavat të kapacitetit prodhues.
“Kolaps energjetik”, ja çfarë i pret qytetarët këtë dimër
“Gjithmonë, sa t’i kemi këto kapacitete, dimrin e kemi të vështirë. Këta e kanë bërë një gabim. Nuk i kanë kryer renovimin apo remontin me kohë të bllokut B1. Ne kemi 370 megavat më pak. Kjo është dashur të lëshohet më 1 nëntor dhe e kanë shtyrë, pasi nuk e kanë përgatitur terrenin për renovim… Skandaloze dhe për këtë duhet të shkojë dikush në përgjegjësi. Kur ka ardhur kompania për ta bërë remontin dhe për t’i vendosur filtrat, këta as skrapin në objekt, që është dashur ta largonin, nuk e kanë bërë. Nuk e kanë pastruar vendin nga asbesti dhe, kur ka ardhur kompania, është dashur kohë për ta pastruar terrenin. Tash, kjo ka marrë kohë dhe ajo kohë po manifestohet me një shtyrje prej tre-katër muajsh. Në bazë të njohurive të mia, është e pamundur të kthehet blloku B1… Parashikimi është kolaps energjetik, nëse jo energjik financiar. Ndodhin të dyja. Unë po i them faktet pse. Nuk po dua të jem fatzi për vendin tim”, theksoi ai.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga sekretari i Aleancës është kostoja e importit të energjisë elektrike. Sipas shifrave që ai ka prezantuar, deri më 5 nëntor, vlera e energjisë së blerë kishte arritur në 205 milionë euro.
Arifi ka paralajmëruar se nëse vazhdon trendi aktual i importit dhe rritjes së çmimeve në bursat ndërkombëtare, deri më 31 dhjetor kostoja mund të arrijë në 400 milionë euro. Ai ka kritikuar institucionet përgjegjëse për atë që e konsideron mungesë të përgatitjes me kohë për sezonin e dimrit.
Kaq para pritet të shpenzohen për import të rrymës deri në fundvit
“Këta nuk e kanë kryer asnjë punë dhe a e dinë çka po ndodh? Nuk ua ndien, se po ka para në buxhet. 205 milionë euro është vlera e energjisë që kanë blerë deri më 5 nëntor. Kurse, nga 5 nëntori deri më 31 dhjetor, me trendin ekzistues, ku çmimi në bursë është duke u rritur dhe nuk besoj se kemi pasur këtë klimë deri më 31 dhjetor, ne rrezikojmë të shkojmë në 400 milionë euro import për këtë vit”, deklaroi Arifi.
Arifi ka paralajmëruar edhe mundësinë e rritjes së tarifave të energjisë elektrike, duke u bazuar në importin e lartë të energjisë elektrike gjatë këtij viti.
“Është e pashmangshme rritja e tarifave të energjisë”, lajm i keq për qytetarët
“Këtë vit nuk u rritën për shkak të zgjedhjeve të 7 qershorit. Është borxh prej 40 milionë eurosh që e kanë shtyrë për vitin tjetër, që të kompensohet me rritjen e këtij viti. Është e pashmangshme, pasi nuk e di çfarë tarife”, tha ai.
Për këto çështje, sipas Arifit, është dashur të ketë përgjegjësi politike, duke thënë se ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, është dashur të shkarkohej shumë më herët. Gjatë kësaj jave, ministrja Rizvanolli kishte paralajmëruar një dimër të vështirë për Kosovën.
“Dimër i vështirë”, Arifi: Ministrja Rizvanolli është dashur të shkarkohej qëmoti
“Zonja Rizvanolli është dashur moti të shkarkohet. Nëse për asgjë tjetër, e ka rrejt opinionin dhe dilte e thoshte se nuk po importojmë rrymë, por ajo është transit. Llogaritet e gjithë rryma që po shkon në Mal të Zi. Kjo është gënjeshtër, pasi të dhënat janë nga Dogana. 205 milionë janë të dhënat nga Dogana. Mbi të gjitha, nuk ka asnjë përgjegjësi për atë që ka ndodhur në blloqet B1 dhe B2”, theksoi ai.
Në anën tjetër, Arifi foli edhe për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ai tha se Aleanca mbështet amendamentimin e tij, i cili është paralajmëruar se do të ndodhë në dy javët e ardhshme, por theksoi se i njëjti duhet të jetë në përputhje me pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Çka do të amendamentohet në Ligjin për Specialen sipas sekretarit të Aleancës
“Për hapat dhe veprimet, ne si parti këtë proces e kemi vendosur: e mbështesim çdo ligj dhe çdo propozim që vjen për të ndihmuar, si parim bazë i Aleancës. Shumë nga vendimmarrja është transferuar te grupi parlamentar, që është në kontakt të përditshëm me grupin parlamentar të PDK-së dhe ekipin që po merret me këtë çështje… Duhet të aprovohet ligji në formën siç është dhe pastaj të bëhet amendamentimi, i cili potencialisht nuk bie ndesh me pavarësinë e gjyqësorit dhe që është në përputhje me kërkesat e ekipeve mbrojtëse. Kosova dhe Aleanca nuk synojnë ta cenojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë në Kosovë, as në Hagë”, përfundoi Arifi.
Burimi: botasot.info
