Arrestohet Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt

Albert Sylaj, i dyshuari për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, është arrestuar mbrëmjen e së martës, pas dy ditësh në arrati.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se Sylaj u lokalizua dhe u arrestua rreth orës 23:40 në Deçan. Arrestimi erdhi pas angazhimeve intensive operative e hetimore dhe pas bashkëpunimit me qytetarët. Policia i ka falënderuar qytetarët për ndihmën e ofruar në lokalizimin e të dyshuarit.

Gjatë mbrëmjes, disa media raportuan se Sylaj ishte lokalizuar në zonën malore të fshatit Bec në Gjakovë. Sipas Gazetës Sinjali, ai u ishte lajmëruar autoriteteve nga Deçani dhe kishte deklaruar se nuk dëshironte t’u dorëzohej hetuesve, por vetëm pjesëtarëve të njësisë speciale FIT. Po sipas Sinjalit, Sylaj kishte komunikuar përmes interfonit me vëllanë e tij, duke kërkuar dhjetë minuta për të biseduar me familjarët para se të dorëzohej.

Klan Kosova, duke cituar burime nga njësia FIT, raportoi se arrestimi është realizuar pas rezistencës dhe pas një takimi me familjarët. Policia nuk ka dhënë ende detaje zyrtare për rrethanat e operacionit.

Në kërkim të tij ishin angazhuar njësi speciale nga Drejtoritë Rajonale të Policisë në Gjakovë dhe Pejë, si dhe njësi të tjera nga Prishtina.

Më herët gjatë ditës, moderatori i emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ermal Panduri, kishte raportuar se Sylaj u kishte dërguar policëve mesazhe kërcënuese gjatë arratisë, duke thënë se nuk do të dorëzohej i gjallë.

Sylaj kërkohej për veprën penale “Vrasje e rëndë”. Ai dyshohet se më 25 tetor, rreth orës 21:00, e vrau me sëpatë ish-kunatën e tij, 49-vjeçaren Arlinda Zekaj. Vrasja ndodhi pak minuta pasi ajo ishte kthyer në shtëpi nga Stacioni Policor në Pejë, ku kishte raportuar dhunë në familje.

Burimi: botasot.info