Shkup, 7 nëntor – Republika e Maqedonisë së Veriut është shteti më i sigurtë nga të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor. Kështu thotë ministri i brendshëm, Oliver Spasovski, por kështu thotë edhe indeksi global për paqe GPI – Global Peace Index, ndërsa që nga viti 2017, RMV ka shënuar progres prej plot 97 vendeve në renditje, informon Zhurnal.
Këtë vit Maqedonia e Veriut gjendet në vendin e 36 të shteteve më të sigurta në botë.
“Duke vlerësuar disa aspekte të paqes, duke përfshirë dhe sigurinë shoqërore, indeksi global i paqes është mjet i nevojshëm për analizën se deri ku kemi arritur me angazhimet tona”, thotë Spasovski.
Nëse kthehemi në vitin 2017, vendi jonë shënon një përparim të vazhdueshëm në këtë listë. Siç thotë Spasovski, MPB i ka vendosur disa obligime vetes sikurse profesionalizimi, departizimi dhe dekriminalizimi. Këto sipas tij ishin çështjet kyçe që të kthehet sigura te njerëzit dhe te institucioni.
“Jam krenar me reformat që bëmë. Jam krenar për rezultatet e policisë. Efikasiteti i saj në të gjitha fushat e isgurisë nga viti në vit shënon përparim, që ishte e vërtetuar në raportin e sivjetëm të KE-së, veçanërisht në implementimin e planit të përbashkët për luftë kundër terrorizmit, në luftën kundër tregëtisë me drogë, në sjelljen e dokumenteve strategjike nga fusha e menaxhimit kufitar dhe migrimit, përparim edhe në avansimin e kapaciteteve për hetime financiare, si dhe në bashkëpunim ndërkombëtar policor”, thotë Spasovski.
Siç shton ai, të gjitha këto të arritura janë si rezultat i zbatimit të prioriteteve si dhe të punësuarve në këtë institucion. Ai falenderon edhe qytetarët për kontributin e tyre sepse pa mbështetjen e tyre, rezultatet nuk dotë ishin kaq të shpejta dhe evidente./Zhurnal.mk