Artjola Toska është padyshim një artiste në të gjitha dimensionet, një zë i rallë i muzikës popullore, por edhe një njeri me një botë të brendshme shumë të pasur, një njeri që dashuron artin dhetë bukurën në tërësi. Këngët e saj prekin tema me të cilat është e lidhur jeta e përditshme e çdo shqiptari. Në këngët e saj ka ide, por edhe shumë muzikalitet e ritëm që e fton çdo artdashës në kërcim. Thjeshtësia dhe komunikimi i afërt me publikun janë dy asetet e patjetërsueshme të Artjolës si artiste dhe si njeri. Ajo shpeshherë vjen në vemendje me këngë të reja, publikime autentike. Në një intervistë ekskluzive për Bio Folk Artjola tregon për angazhimin e saj artistik brenda dhe jashtë vendit, emocionet e përjetuara gjatë koncerteve dhe projektet në vazhdim.
CMG: Në albumet tuaja muzikore ke dy këngë që lidhen me kafen. Si lindi ideja për këto krijime?
Artjola Toska: Kënga “Kafja e mëngjesit” ka qenë një kompozim i një kompozitori nga Kosova, nuk është se ishte krijim i imi. Ndërsa kënga “Një filxhan u bë sebep” ishte ide e imja, por tekstin e ka shkruar i pavdekshmi dhe i paharruari Jorgo Papingj, që e kujtoj me shumë nostalgji. Sa herë ulem për të nisur ndonjë ide kënge direkt më shkon mendja tek profesori. Jorgo ka qenë bashkëpunëtori im më i afërt, dikur profesori. Unë kam realizuar tre albume me poetin Jorgo Papingji.
CMG: Je një këngëtare e dashur për publikun shqiptar, jo vetëm në Shqipërinë e mesme por edhe në jug, veri dhe përtej kufijve. Si ke mundur të depërtosh kaq thellë në zemrat e publikut mbarëshqiptar?
Artjola Toska: Duke qenë se nëpër ambjente të muzikës live duhet të këndosh për një publik nga çdo lloj qyteti dhe treve, duhet të përshtatesh ndonjëherë. Nuk kam kënduar gjithmonë këngët e mia, por më është dashur që shumicën e rasteve të përshtatem edhe më këngë jugu, këngë veriu, shkodrane, të Kosovës, Maqedonisë dhe Ulqinit, gjithandej ku ka shqiptarë. Kështu që më është dashur të përshtatem nëpër ambjente live, dhe këto ambjente të japin këtë lloj mundësie. Gjithashtu ka qenë fati im që kam një karakter zëri, që përshtatet me disa treva dhe disa zhanre.
CMG: Gjatë karrierës muzikore ke sjellë krijimtari të re popullore, këngë më tematika të ndryshme, ku njerëzit gjejnë dhe veten. Si erdhën këto këngë me tematika dhe fabula specifike?
Artjola Toska: Unë kam dashur gjithmonë ta marr bazën nga këngët e vjetra popullore, ku shumica e këngëve të vjetra, sidomos të Shqipërisë së mesme kanë qenë me fabulat e veta. Kam menduar që është më mirë të jetë një gjë që e prek popullin, një temë sociale që e prek gjatë përditshmërisë. Fabulat e këngëve i kam pasur gjithmonë vetë si ide të këngëve, dhe më pas i kam përshtatur nganjëherë me tekstshruesit dhe shumicën e herëve i kam bërë vetë.
CMG: Pra, gradualisht ke nisur të shkruash vetë tekste këngësh, por dhe të krijosh muzikën. Është e vështirë të kompozosh një këngë të re popullore?
Artjola Toska: Kompozimi i këngës “Fol shqip” ishte spunto dhe duke qenë se udhëtoj shpesh dhe jam në kontakt me publikun shumë të afërt gati çdo javë, i shikoj këto fenomenet shpesh. Aty fillojnë ngacmimet e para. Ngacmimi i parë ka qenë me “Fol shqip”, kompozimi i parë me tekst dhe muzikë nga unë. Pastaj më vonë erdhën dhe këngët e tjera.
CMG: Ke dhe dy këngë të dedikuara, “Goc Tironë”, dhe një këngë për bashkëshortin tuaj Adin, kënga “Për ty”.
Artjola Toska: Kënga “Goc Tirone” ka lindur duke qenë në Amerikë, ashtu si është kënga është dhe historia e saj. Në avion është shkruar ajo këngë, në avion është kompozuar dhe krijuar. Pastaj bashkë me Edi Balilin dhe pak me Armand Trebickën kemi arritur ta realizojmë si këngë. Ndërsa kënga “Për ty” është një baladë që ja dedikova bashkëshortit pak ditë para ditëlindjes. Ne këngëtarët kështu i bëjmë dhuratat me këngë. (qesh)
Artjola Toska ne skene (Facebook)
CMG: A është Adi kritik apo të këshillon për krijimet ?
Artjola Toska: Adi drejtpërdrejt vetë nuk ka lidhje me muzikën, por nga familja e vet babain e ka pasur dikur regjisor montazhi në RTSH, Ismail Balla. Ndërkohë që Adi ka një vesh absolut për muzikë, që mua më vjen keq që nuk është marrë me art sepse e ka veshin muzikor, dhe nuk të le të bësh asnjëlloj gabimi. Ka një nuhatje të tmerrshme për hite. Kur më vijnë demot duhet t‘ia tregoj njëherë Adit dhe atëhere e kam të sigurt se kënga është hit.
CMG: Udhëton shumë nëpër koncerte në Europë dhe kontinente të tjera ku ka shqiptarë. Je e lodhur nga kjo gjë, apo të pëlqen të udhëtosh?
Artjola Toska: Mua më lodh kthimi, pra kur jam duke u kthyer them se u mërzita dhe u lodha, kur do rrallohet dhe kur do mbarojë kjo gjë. Faktikisht unë i bëj dhe me qejf udhëtimet dhe nuk më pengon nëse udhëtoj vetëm. Madje e kam shumë më mirë sepse atëhere krijoj më tepër dhe më vijnë ide më shumë. Nuk udhëtoj vetëm me avion, por shumë herë me tren brenda një shteti. Duke qenë se prej kohësh e kam një rezidencë në Itali, jetoj dhe atje, shumicën e koncerteve i kam bërë në tren. Udhëtimet me tren i kam si orë krijimi.
Artjola (Facebook)
CMG: Ke udhëtuar deri në Australinë e largët, por cili do të ishte vendi që do të riktheheshe për qejf apo koncerte?
Artjola Toska: Të them të drejtën Australia më ka lënë shumë përshtypje, vend i bukur dhe shumë i mirë për të jetuar, dhe pse është vend shumë i largët për të emigruar. Ky ka qenë vendi që më ka pëlqyer shumë, ndërsa në vendet e tjera unë kthehem herë pas here për koncerte.
CMG: Para dy vitesh mbajte recitalin e radhës në Pallatin e Kongreseve, ku salla ishte e tejmbushur. Flasim për këtë recital dhe emocionet e përjetuara aty?
Artjola Toska: Para shumë vitesh deri në 2005 ka qenë recitali im i parafundit, ishte moda e koncerteve recitaleve me bazë orkestrale, sepse nuk ishte teknika që është sot. Mirëpo ajo gjë nuk të jep ndonjë emocion, dhe kontaktin me publikun e ke pak të ftohtë, se e ke shumë më të lehtë kur komunikon me publikun me muzikë live. Kisha shumë vite që mendohesha, më në fund erdhi mundësia dhe kushtet për t’u bërë një koncert ashtu siç duhet, sidomos për muzikën popullore. Unë mbas shumë kohësh e kam ndjerë se çfarë kam bërë, se isha si e mpirë. Akoma nuk e besoja se çfarë kisha bërë, jo se kisha bër ndonjë kryevepër, por thjesht që depërtoi kaq shumë në publik, sa që mua edhe sot më duket se ai koncert është bërë javën e kaluar dhe pse ka dy vjet. Këtë lloj shije i ka lënë njerëzve, por edhe mua. Ka qenë një emocion që shumë më mbrapa e kam marrë veten, dhe pse e kam pritur atë sukses ngaqë e kam atë kontaktin me njërëzit, por ta kesh me gati 3000 mijë veta në sallë ishte një emocion i jashtëzakonshëm.
CMG: Si është axhenda juaj e aktiviteteve muzikore në këtë sezon veror që sapo ka nisur?
Artjola Toska: Unë kam një të mesme të artë, dhe nuk jam e ngarkuar çdo ditë. Për mua është më mirë pak e saktë, pak e të rehatshme dhe pak të suksesshme. Këtë e kam pasur gjithmonë si princip pune, sepse njeherë bëhet dasma dhe nuk përsëritet më, dhe unë duhet ta respektoj ashtu siç më ka respektuar dhe mua ai që më ka futur në familje. T’i shkoj e ngjirur apo e sëmurë nuk e pranoj dot. Kështu që më mirë bëj pak e saktë sesa të bëj shumë.
CMG: Ke menduar për pak pushime?
Artjola Toska: Kryesisht për pushime nga qershori ose shtatori, jo se nuk i kam ditët e lira për t’i bërë pushimet, por duhet të kujdesem dhe për vokalin nga uji i ftohtë.
CMG: Ndonjë projekt të ri muzikor?
Artjola Toska: Shkoj nëpër studio dhe hedhim ndonjë mendim, jemi në këtë lloj procesi. Akoma nuk kam ndonjë gjë konkrete, sepse mua më dalin sot për nesër idetë dhe duhet ta kryejë patjetër brenda javës.