Këngëtarja e njohur Anna Oxa, me origjinë shqiptare, ka dhënë një rrëfim të sinqertë për jetën personale dhe identitetin e saj, gjatë një interviste në emisionin Domenica In në Rai 1.
Artistja tregoi se ka zgjedhur të largohet nga zhurma e qyteteve dhe të jetojë në natyrë, një vendim që për të është i lidhur ngushtë me paqen e brendshme.
“Jam në mal, në natyrë të vërtetë, e rrethuar nga maja dhe pemë,” u shpreh ajo.
Moderatorja Mara Venier e quajti këtë zgjedhje drastike, por Anna Oxa e kundërshtoi menjëherë:
“Nuk është drastike. Natyrën e kam gjithmonë pranë. Jeta në qytet është bërë e rëndë. Të jetosh në natyrë është shumë më e pëlqyeshme për mua. Natyra ka diçka të veçantë: nuk ke nevojë të thuash kush je apo çfarë bën, natyra e di. Dhe ti je i lirë ta perceptosh këtë heshtje që flet.”
Por momenti më i fortë i intervistës ishte kur këngëtarja foli hapur për origjinën e saj shqiptare, një fakt që, sipas saj, shumë pak njerëz e njohin.
“Askush nuk e di që kam lindur në një familje në Bari. Nëna dhe babai im janë shqiptarë. Isha dhe jam shqiptare dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua, sepse jeta intensive që kam pasur ishte jeta e një të huaji në Itali.”
Rrëfimi i Anna Oxës është pritur me shumë emocione nga publiku, duke rikthyer në vëmendje historinë e emigrantëve shqiptarë dhe ndjenjën e përhershme të përkatësisë, pavarësisht suksesit ndërkombëtar.
