E ardhmja e mesfushorit shqiptar Kristjan Asllani te Inter është vënë në pikëpyetje, teksa raportimet nga mediat italiane japin sinjale të ndryshme për vazhdimin e tij në Milano.
Sipas të përditshmes prestigjioze italiane “La Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e klubit zikaltër nuk e shohin më Asllanin si një futbollist me potencial të madh për të ardhmen dhe kanë vendosur që ta vendosin në merkato gjatë afatit kalimtar të verës.
Nga ana tjetër, “Sky Italia” raporton se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për mesfushorin shqiptar. Sipas këtij burimi, drejtuesit e Interit po shqyrtojnë mundësinë e huazimit të tij në një tjetër skuadër, në mënyrë që 23-vjeçari të ketë më shumë minuta loje dhe të zhvillohet më tej në aspektin profesional.
Kristjan Asllani iu bashkua Interit nga Empoli dhe është konsideruar për një kohë si një investim i së ardhmes për mesfushën zikaltër. Megjithatë, hapësirat e kufizuara dhe konkurrenca e lartë në mesfushë duket se kanë ndikuar në stagnimin e zhvillimit të tij.
Vendimi për të ardhmen e Asllanit pritet të merret gjatë muajve të verës, ndërkohë që disa klube në Serie A kanë shprehur interesim për të, në rast se Inter vendos ta huazojë ose ta shesë përfundimisht.