GazetaMax
Lajme

Atdhetari dhe veterani i UÇK-së, Kolë Gojçaj, kaloi në përjetësi, trashëgimia e tij është vlerë për Malësinë dhe kombin

Sa herë kombi ishte në rrezik, Malësia ka reaguar me bijtë e vet më besnikë, për të qenë në vijën e parë të shquar për guxim, trimëri dhe përkushtim atdhetar, në dobi të kauzave të shenjta.

I tillë ishte Kolë Prekë Gojçaj nga Traboini i Malësisë, i cili me jetën e veprën e vet, do të jetë shembull ndër breza, jo vetëm në Malësi por për tërë kombin.

Ky malësor, siç vërejnë historianë e kronistë, ishte i ndershëm e fisnik i familjes së afërt të Kolë Marash Vatës, i cili u vra në Kryengritjen e Malësisë në vitin 1911 dhe i Tomë Nikës, i cili kishte qenë krahu i djathtë i Ded Gjo’ Lulit, edhe pse në Detroit të Amerikës, do të jetë bir i denjë i një trashëgimie të shkëlqyer për Kosovën dhe kombin.

Urtësia e burrave të Hotit, u bë tipari kryesor i Kolë Gojçajt, i cili ndonëse ishte larg atdheut, peshën e barrën e dhimbjes për copëtimin e trojeve shqiptare, e bartte në shpirt.

Kola u lind e u rrit në një familje me tradita të forta patriotike, i përgjegjshëm ndaj interesit kombëtar dhe tragjedisë së popullit shqiptarë për të jetuar në pesë shtete, shpirti i tij e jetonte përndjekjen e studentëve në Prishtinë, të cilët kërkonin të drejtat e shqiptarëve në ish Jugosllavi.

Nga viti 1981, Kola do të gjendej në organizime që mbaheshin në Amerikë, me demonstrata, mitingje dhe shprehjet tjera kundër regjimit të asaj kohe.
Angazhimi për çështjen kombëtare do të intensifikohej më 1998 kur filloi lufta çlirimtare në Kosovë, ai, njëjtësohej me krenarinë e kombit, ai ishte një me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Çdo atom të energjisë së tij e vuri në shërbim të çlirimit të Kosovës.
Për kontributin e tij të madh, Komisioni qeveritar për njohjen e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të përkrahësit të UÇK-së i a ka dhënë mirënjohjen gjenerali Agim Çeku.

Kolë Gojçaj me thjeshtësi theksonte se e zgjodhi rrugën e çlirimit në përkrahje të UÇK-së, me dashurinë e madhe që kishte për Kosovën. Vullnetarisht, ai ishte aktivist dhe kontribuues i madh në kuadër të Fondit “Vendlindja Thërret”.
Ai nuk do të ndalej me kontributin e tij të madh në formimin e formacionit ushtarak “Batalioni Atlantiku” i përbërë nga vullnetarë shqiptarë me banim në Amerikë. Kontributi i tij do të shquhej edhe me mjetet që grumbulloi për fondin në kohën kur rrezikohej kombi në Kosovë.

Pas gjysmë dekade jetë në mërgim (Itali e Amerikë), vullnetarisht është kthyer në shtëpinë e të parëve, e cila siç thotë ai, pesë herë është djegur e bërë shkrumb e hi me topa gjatë sundimit turk bashkë me shtëpinë e heroit tonë kombëtar Dedë Gjo’Lulit.

Kola njihej për fjalën e dhënë dhe realizimin e premtimit. Para 27 vitesh, kur ndodhej për vizitë prindërve të tij, ndër të tjera, u kishte thënë vëllezërve se “deri sa të des vetë jekto dy dyer nuk myllen. Por, edhe i tjetër dua me jua tha. Derisa te jetë vëllau ma i vogli Luca, haram u kjoftë rrita e babës dhe gjini i nanës ni kjoftë se dryhet jekjo derë. Sepse, ajo ka histori. Asht e lame disa herë me gjak”.

Këtë atdhetar i cili po bënte gjithçka që mundej për Kosovën, Gjykata e Rrethit Tiranë, më 14 tetor 1999, e dënon me vendim nr. 609 në formë të prerë me 7 vjet burgim në mungesë, për, siç shkruan në vendimin e Gjykatës, “për veprën penale të kontrabandës me mallra të ndaluara në bashkëpunim (armë zjarri e fishekë)”. Të gjitha këto veprime, furnizimin me armë dhe mbledhja e fondeve për UÇK-në, bëheshin, siç pohonte Kola, me dijeninë e organeve kompetente amerikane e ndërkombëtare.

Gjykata e Apelit Tiranë, në mungesë të provave dhe objektivit fillestar, me vendim nr.200.dt.07.04.2003 urdhëroi lirimin e tij.

Vit pas viti dhe dekadë pas dekade misionin e tij të shenjtë atdhetar, ky aktivist i çështjes kombëtare bashkë me mijëra bashkëveprimtarë e bashkëluftëtarë vullnetarë e atdhetarë në mërgim e përmbushi duke informuar popullin amerikanë por edhe të tjerët nëpër botë për gjendjen aparteid në Kosovë.

Punën atdhetare, me dekada, nuk e bëri për favore dhe shpërblime, por nga detyrimi atdhetar, të mbrujtur brenda familjes Gojçaj, bashkëluftëtar të Dedë Gjo’ Lulit.

“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Sa herë që kam mundur të bëj atë pak që kam pasur mundësi, atë që duhet ta bëjë çdo shqiptar, unë e kam bërë. Nuk kam kursyer asgjë për të bërë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për lirinë, çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës”, ka deklaruar për një gazetar lidhur me biografinë e tij atdhetare.

Derën e shtëpisë së tij të lindjes në zonën ë Hotit, e mbajti me nder e krenari të hapur, ashtu siç është e hapur edhe zemra e çdo atdhetari për të punuar dhe për të kontribuar për kombin.
Kola, pasi i vdiqën prindërit dhe shtëpia mbeti pa banorë nuk e harroi fjalën e dhënë. “Unë kam vendosë me u kthye përgjithmonë në Malësi” – i tha familjes. Burri i Malësisë foli prerë si dikur. E mbajti fjalën. Në amshim kaloi i përmbushur që mbajti fjalën për derën e hapur për sa të jetë ai gjallë.

Ishte dhe mbeti një njeri në kuptimin e plotë të fjalës me virtyte të larta njerëzore, të cilat duhet të jenë shembull për brezat e ardhshëm.
Largimi i tij në amshim, është dhimbje për familjen, për kombin dhe të gjithë ata që e njohën, njëherësh, është krenari për familjen, për ata që e njohën, që punuan e bashkëvepruan për kombin, është krenari se çfarë burrash pati Malësia.
Trashëgimia atdhetare e Kolë Prekë Gojçajt, do të jetë shembull i ndritur për gjenerata se si punohet, si duhet dhe sa vlen atdheu dhe kombi!

Lavdi e përjetshme veteranit të UÇK-së, Kolë Prekë Gojçaj!

Related posts

Pasagjerët ‘luftojnë’ për t’i shpëtuar zjarrit që përfshiu një traget në Tajlandë

Gazeta Max

Aggeler: Edi se është shumë e vështirë por ndryshimet kushtetuese janë të patjetërsueshme

Gazeta Max

КE: Të punohet në transformimin digjital dhe në forcimin e kapaciteteve institucionale

Gazeta Max