GazetaMax
Lajme

Atentati në Rinas, ka mbetur i vrarë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë’ i Emiljano Shullazit

Personi që humbi jetën në atentatin e ndodhur këtë të martë në afërsi të Aeroportit të Rinasit është identifikuar si Gilmando Dani, një emër i njohur për autoritetet ligjzbatuese

Dani njihej si “krahu i djathtë” i Emiljano Shullazit, një prej personazheve më të përfolur të botës së krimit në vend.

Ai ka qenë më parë i dënuar për veprimtari kriminale dhe është përmendur në disa dosje hetimore që lidhen me grupin e Shullazit.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën që lidh zonën e Rinasit me qendrat përreth, kur një automjet në lëvizje hapi zjarr ndaj makinës ku udhëtonte Dani, së bashku me një tjetër person, i cili mbeti i plagosur. Viktima ka ndërruar jetë menjëherë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa i plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Policia ka ngritur disa pika kontrolli në drejtim të Fushë-Krujës, ku dyshohet se janë larguar autorët pas ngjarjes. Po ashtu, po verifikohen kamerat e sigurisë në zonë për të rindërtuar itinerarin e automjeteve të përfshira.

Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Tiranës, e cila po punon për të zbuluar motivin e atentatit dhe lidhjet e mundshme me konfliktet e vjetra të grupeve kriminale të njohura në kryeqytet.