Hetuesit zviceranë vazhdojnë përpjekjet për të identifikuar viktimat dhe të plagosurit nga zjarri në një bar në Krans Montana, ndërsa familjet po përballen me pritje të tmerrshme për të dëgjuar lajme për të afërmit e tyre.
Shkalla e lartë e djegieve ka vështirësuar procesin e identifikimit, ndërsa autoritetet kanë kërkuar nga familjet që të japin mostra ADN-je. Nga të lënduarit e identifikuar deri më tani, shumica janë shtetas të Zvicrës, Francës e Italisë, ndërsa në mesin e tyre janë edhe 4 shtetas serb. Ndërkohë ende nuk ka asnjë gjurmë nga shtetasi i Maqedonisë së Veriut, për të cilin familjarët kërkonin ndihmë për ta gjetur.
“Së pari, në lidhje me 119 personat e plagosur, dhe bazuar në elementët që kemi mbledhur, 113 janë identifikuar zyrtarisht. Procesi i identifikimit formal dhe përfundimtar është ende në proces për gjashtë prej tyre. Midis të plagosurve që janë identifikuar zyrtarisht, 71 shtetas zviceranë, 14 shtetas francezë, 11 italianë, katër serbë, një boshnjak, një belg, një nga Luksemburgu, një polak dhe një portugez”, deklaroi Frederik Gisler, komisar policie.
Hetuesit thanë se besojnë se qirinjtë vezullues mbi shishet e shampanjës shkaktuan zjarrin fatal, në momentin që iu afruan tavanit të barit të mbushur me njerëz. Prokurorja e Përgjithshme e kantonit Valais, tha se hetimi do të përqendrohet veçanërisht në punën e barit, materialet e përdorura, lejet e funksionimit, masat e sigurisë, aparatet për fikjen e zjarrit e daljet emergjente.
“Hetimi do të përqendrohet sidomos në punën e brenda barit, materialet e përdorura, lejet e funksionimit, masat e sigurisë, me të cilat nënkuptoj aparatet kundër zjarrit. Numri i personave të pranishëm atë mbrëmje, numri i personave që bari është i autorizuar të akomodojë, pajisjet në ambiente, rrugët e evakuimit, si dhe aksesin”, u shpreh Beatrice Pilloud, Prokurore e Përgjithshme e kantonit Valais.
Zjarri gjatë festimeve të Vitit të Ri mori jetën e mbi 40 personave, ndërsa u lënduan 119 të tjerë.

