GazetaMax
Lajme

Aziri kërkon përgjegjësi nga KRRE për rritjen paralajmëruar të energjisë elektrike

Shkup, 7 qershor – Gjatë këtyre ditëve, të shpeshtuara janë daljet nëpër debate televizive të Kryetarit të Komisionit Rregullator të Energjisë dhe Ministrit të Ekonomisë, të cilët po përpiqen që ta përgatisin opinionin publik për një rritje të çmimit të energjisë elektrike pas dates 30 qershor 2022, rritje tashmë të paralajmëruar nga ana e tyre.

Justifikimet dhe arsyetimet e tyre janë thellësisht pa përmbajtje e të kota. Harrojnë se fajtorët janë pikërisht ata dhe klika e tyre që udhëheqin me resurset energjetike në vend. Ata janë fajtorët kryesorë që do të ketë përsëri rritje të çmimit të këtij energensi.

Gjatë një debati ekonomik në televizionin TV 21, Ministri i Ekonomisë ishte shumë konfuz, i painformuar dhe tërësisht i papërgjegjshëm, fliste paqartë dhe aspak profesional në atë që thoshte. Më konkretisht, në debatin, në pjesën lidhur me energjinë elektrike, duke u munduar që t’i largohej përgjegjësisë, neglizhencës, mosdijes dhe mosveprimit me rastin e shfrytëzimit të mangësive, hapësirave ligjore të kompanive të mëdha për kalimin për furnizim me energji elektrike nga furnizuesi në treg të lirë te furnizuesi universal, në të shumtën e rasteve përdorte shprehjen “dallavere” që gjoja këto kompani kanë ndërmarrë për të mundësuar këtë transferim gjatë furnizimit me energji elektrike.

E përkujtojmë ministrin se në fjalorin e gjuhës shqipe, shprehja “dallavere” përshkruhet si: “veprim i pandershëm i një njeriu të keq, i cili përpiqet që me rrugë të padrejta e me mashtrime të marrë apo të fitojë diçka që nuk i takon, të ngatërrojë të tjerët, etj,; mashtrim”.

A përkon ky koncept i shprehjes “dallavere” me atë që në realitet ndodhi me këto kompani lidhur me furnizimin me energji elektrike në kohën e shpërthimit të krizës energjetike? Totalisht që jo!

Ne nuk jemi këtu për të mbrojtur këto veprime të këtyre kompanive, fundja, ata shfrytëzuan mangësitë-hapësirat ligjore që ju ua keni lejuar. Ata shfrytëzuan joprofesionalizmin dhe mosdijen tuaj, shfrytëzuan mosveprimin dhe moskoordinimin e institucioneve shtetërore të involvuara në këtë problematikë (Komisioni Rregullator i Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Drejtoria e të Hyrave Publike, etj.) Thënë shkurt e shqip-shfrytëzuan në mënyrë mjeshtërore mosfunksionimin dhe mosveprimin e Qeverisë aktuale të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Për këtë problematikë Aleanca për Shqiptarët në daljet e saja publike që nga muaji prill 2022 ju dha udhëzime për drejtimin që duhet ndjekur për të mos lejuar dhe për të parandaluar hapësirë për një shfrytëzim të këtillë nga ana e kompanive të mëdha. Por, si gjithmonë, për të mbuluar paaftësinë dhe joprofesionalizmin tuaj, ju nuk i merrni parasysh propozimet dhe udhëzimet tona.

Aleanca për Shqiptarët jua tregoi mënyrën e veprimit që duhej të ndërmerrnit. Pra, duhej të hartonit një rregullore të re për furnizim me energji elektrike, apo të ndërhyni në sistemin aktual tarifor.

Aleanca për Shqiptarët theksoi se vendet konsumuese të klientëve duhet të evidentohen sipas linjës së tensionit të pikës matëse të konsumimit të energjisë elektrike ( 35kV, 10kV, apo 0,4 shkallë e parë) dhe gjithë këto vende harxhuese të energjisë elektrike në tensionin e mesëm duhet të furnizohen me energji elektrike vetëm në tregun e lire e në asnjë mënyrë në atë universal, pavarësisht të të hyrave vjetore dhe numrit të të punësuarve në atë kompani.

Me evidentimin sipas linjës së tensionit të pikes matëse të konsumit të energjisë elektrike, kompanive-klientëve u hiqet mundësia që të shfrytëzojnë zbrazëtitë aktuale ligjore, pasi që pavarësisht bonitetit ekonomik e financiar të kompanisë së re të sapo formuar, faktor-kriter vendimtar për atë se a do të duhet të furnizohet një klient në atë vend harxhues në tregun liberal apo universal, do të ishte linja e tensionit në pikën matëse, me çka njëherë e përgjithmonë kjo çështje duhej mbyllur.

Edhe njëherë e përsërisim dhe i bëjmë apel Komisionit Rregullator të Energjisë (KRRE), që gjatë përgatitjes dhe hartimit të rregullores dhe sistemit të ri tarifor, ta marrin parasysh këtë sugjerim të Aleancës për Shqiptarët. T’i lënë mënjanë inatet e teket personale, se në fund të fundit, janë qytetarët-konsumatorët e energjisë elektrike ata të cilët do ta paguajnë këtë kosto të papërgjegjshmërisë tuaj me rritjen e çmimit të energjisë elektrike tashmë të paralajmëruar nga ana juaj.

Shumë kontradiktore dhe konfuze janë edhe deklaratat e Kryetarit të KRRE në daljet e fundit në opinionin publik. Fillimisht deklaronte se vetëm 1% e klientëve të kategorisë familjare konsumojnë 20% të konsumit total të energjisë që prodhon EMV (Elektranat e Maqedonisë së Veriut). Më vonë shprehej për aspektin që përmendëm më lartë për formimin e kompanive të reja, ndërsa ditët e fundit del me qëndrim se edhe njësitë e pushtetit lokal (komunat) po formojnë ndërmarrje të reja me qëllim që energjinë elektrike për ndriçimin publik ta sigurojnë nga furnizuesi universal.

Siç shihet, Kryetari i KRRE është i hutuar e i paqartë në qëndrimet dhe deklaratat e tij. Mundohet lartë e poshtë që të gjejë fajtorë imagjinarë e ta drejtojë gishtin ndaj të tjerëve se gjoja ata janë fajtorët kryesorë për rritjen e pritshme të çmimit të energjisë elektrike.

Për pjesën e ndriçimit publik, Aleanca për Shqiptarët, pas konsultave me disa nga udhëheqësit e pushtetit vendor dhe nga të dhënat që ata na transmetuan, kemi informacione se shumica e njësive të pushtetit lokal furnizohen me energji elektrike në tregun liberal dhe se disa nga këto komuna furnizohen nga furnizuesi i mundësisë së fundit, ku çmimi kalkulohet me një kosto shtesë prej 50% nga çmimi që ofrohet në tregun liberal.

Në bazë të çmimeve aktuale të aprovuara nga KRRE për kategorinë konsumuese-ndriçimi publik është caktuar vlera prej 7,35 denarë për kWh në të dyja tarifat matëse, vlerë e cila është sa çmimi në tarifën e lartë për kategorinë konsumuese familjarë e jo siç thekson në disa raste Kryetari i KRRE se çmimi i ndriçimit publik është sa tarifa e ulët e kategorisë konsumuese familjarë, gjë që nuk përkon me realitetin.

Po shtrohet pyetja, pse po çohet kaq pluhur për këtë pjesë të furnizimit me energji elektrike në këtë kohë?

Ndriçimi publik është një e mirë e përgjithshme, nuk ka karakter komercial e fitimprurës. Mandej, i njëjti, e sidomos në sezonin veror në të shumtën e kohës po harxhon energji elektrike në intervalin kohor kur për konsumatorët familjarë aplikohet tarifa e ulët, ku çmimi është shumë herë më i ulët nga ai që tarifohet ndriçimi publik.

Është e palogjikshme që gjigantë ekonomikë dhe firma të mëdha komerciale që janë të lidhura në tensionin e mesëm të shfrytëzojnë energji elektrike të subvencionuar nga qeveria në tregun universal, ndërsa ndriçimi publik si një e mirë e përgjithshme që i shërben atij komuniteti që jeton e vepron në atë njësi të pushtetit vendor, të jetë i detyruar të furnizohet me energji elektrike në tregun liberal.

Ka ardhur koha që Ministri i Ekonomisë, Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjisë dhe faktorë të tjerë të involvuar në këtë problematikë, të marrin përgjegjësitë e tyre për këtë dështim e jo të mundohen e të justifikohen para opinionit publik me teza e teori të kota, pasi që fajtorët kryesorë për rritjen e paralajmëruar të çmimit të energjisë elektrike do të jeni pikërisht JU, në fakt mosdija, mosprofesionalizmi, mosveprimi e moskoordinimi juaj.

Elmi Aziri – Aleanca për Shqiptarët

Related posts

Ibrahimi: Nga 2016-ta, shqiptarët votojnë me shumicë kundër BDI-së

Gazetamax.mk

Mexhiti dhe Bexheti presin që kërkesat e tyre të merren parasysh, Ahmeti janë gjëra të vogla që do të rregullohen

Gazetamax.mk

Myftiu i shkupit Ismaili pret në takim Prof. Dr. Ines Murzaku profesoreshë në Universitetin “Seton Hall” të New-Jersey-t

Gazetamax.mk