Kryetari i Komunës së Deçanit, z. Bashkim Ramosaj, realizoi një vizitë të veçantë në familjen e respektuar Dabiqaj në Prilep, e cila qëndron pas iniciativës sipërmarrëse “Degesolar L.L.C Energy”, një biznes inovativ në fushën e energjisë solare.
I pritur me ngrohtësi nga pronari z. Durim Dabiqaj, kryetari Ramosaj u njoh nga afër me konceptin dhe mënyrën e funksionimit të këtij brendi të dalluar, i cili sjell një sistem unik pune në prodhimin dhe aplikimin e energjisë së rinovueshme.
“Ky është shembulli më i mirë i vizionit, guximit dhe inovacionit vendor. Biznese të tilla nuk janë vetëm histori suksesi, por partnerë strategjikë të Komunës së Deçanit në rrugën drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik,” – deklaroi kryetari Ramosaj gjatë vizitës.
Ai vlerësoi kontributin e “Degesolar” si një potencial real për krijimin e vendeve të reja të punës, fuqizimin e ekonomisë lokale dhe përparimin teknologjik, duke theksuar se mbështetja institucionale për iniciativa të tilla do të jetë e vazhdueshme.
Kompania “Degesolar L.L.C Energy” përfaqëson një ndër brendet më premtuese në sektorin e energjisë alternative në rajon, duke dëshmuar se edhe në komunat tona mund të ndërtohen modele të suksesshme me standarde bashkëkohore.