GazetaMax
Lajme

BDI: Dimitrievski hap front të ri kundër shumicës së Badenterit

Deklaratat e djeshme të Maksim Dimitrievskit kundër shumicës së Badenterit janë vazhdim i një fushate të orkestruar nga kjo qeveri dhe partnerët e saj për të rrënuar themelet e Marrëveshjes së Ohrit dhe për të kthyer shtetin mbrapa, në padrejtësi dhe përjashtim.

Që nga dita e parë e mandatit, qeveria ka goditur shtyllat e barazisë:
• Shfuqizoi balancuesin dhe minoi përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera në institucionet shtetërore;
• Zhvlerësoi Marrëveshjen e Ohrit duke i besuar implementimin e saj Ivan Stoillkoviçit, një figurë me bindje të njohura antishqiptare dhe putiniste;
• Fshiu në mënyrë kundërkushtetuese dhe kundërligjore diasporën nga përllogaritja, duke cenuar përfaqësimin në këshillat komunalë në zonat me shumicë shqiptare;
• Zvogëloi shqiptarët në përllogaritjet zyrtare dhe heshti para diskriminimit të hapur;
• Zhvlerësoi Inspektoratin e gjuhëve duke ia hequr statusin e personit juridik, duke minimizuar rolin e tij dhe duke e barazuar me një sektor të zakonshëm në Ministrinë e Drejtësisë;
• Shndërroi Agjencinë për zbatimin e gjuhëve në një institucion inekzistent, pa asnjë funksion real, përveç faktit që Stoillkoviçi i mori hapësirat fizike.

Sot, Dimitrievski hap front të ri kundër Badenterit, mekanizmit kushtetues që garanton barazi dhe stabilitet në vend. Nuk duhet harruar se ky është i njëjti politikan që ua ndaloi përfaqësuesve të VLEN-it përdorimin e flamurit shqiptar dhe që sot tenton të relativizojë Marrëveshjen e Ohrit, duke e quajtur “të përmbushur” dhe “të tejkaluar”.

Kjo nuk është rastësi, është vazhdim i programit të VMRO-së, e cila para zgjedhjeve paralajmëroi hapur masa kundër multietnicitetit dhe Marrëveshjes së Ohrit. Mbase, në të njëjtën vijë ishte edhe iniciativa e VMRO-DPMNE-së për të shfuqizuar në tërësi ligjin e gjuhës para Gjykatës Kushtetuese. Partnerët e tyre të sotëm thjesht po zbatojnë këtë agjendë.

Por tetori është afër. Populli do të flasë fuqishëm në referendumin popullor dhe do të tregojë se Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, se dinjiteti i shqiptarëve nuk negociohet dhe se çdo përpjekje për përjashtim e nënçmim do të ndëshkohet rëndë.

Related posts

“Qytetarët nuk do të jenë viktima të ndërtimeve pa leje”, Bujar Osmani paralajmëron luftë pa kompromis kundër ndërtimeve ilegale në Çair

Gazeta Max

Aksident në Shkup, humb jetën një çiklist

Gazeta Max

Skender Isufi: Me bashkim dhe vizion të qartë, Haraçina mund të bëhet shembull zhvillimi

Gazeta Max