GazetaMax
Lajme

Bie besimi ndaj institucioneve…

Shkup, 11 shkurt – Njohësit e çështjeve juridike i vlerësojnë si shqetësuese të dhënat e një hulumtimi nga Qendra për Strategji Evropiane “Eurothink” mbi rënien e besimit të qytetarëve ndaj punës së institucioneve si dhe krimin e korrupsionin, që edhe sipas vlerësimeve të BE-së dhe SHBA-së, janë në nivele të larta.

Rezultatet e sondazhit “Eurobarometër”, i cili është realizuar në fund të vitit 2022 nga “Eurothink” tregojnë se 61 për qind e qytetarëve janë të mendimit se Maqedonia e Veriut nuk është vend demokratik, 53 për qind besojnë se gjërat në vend po shkojnë në drejtim krejtësisht të gabuar, ndërsa vetëm 9 për qind janë përgjigjur se gjërat po shkojnë në drejtim të mirë.

Bashkim Selmani, profesor në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjendje e këtillë është pasojë “dështimit të politikës”, e cila, sipas tij, interesat partiake i ka vendosur mbi ato të qytetarëve.

“Këto pesë ose dhjetë vjetët e fundit, përplasjet e partive politike, pushtet-opozitë kanë një rivalitet mes vete, jo për interesat e qytetarëve, por thjesht për interesat e tyre partiake, grupore, korruptive, kriminale e kështu me radhë. Pra, çdo institucion, individë të caktuar dalin mbi institucionet për arsye se nuk përcaktohen rregullat me të cilat duhet të jepen shërbime standard, qoftë nga administrate publike, arsimore e kështu me radhë. Çdo institucion i cili brenda tre ditëve nuk i jep shërbimin qytetarëve, ai institucion bën shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ata kuptohet se ndjehen keq”, thotë Selmani.

Aleksandar Stojanovski, përfaqësues i Qendrës për Strategji Evropiane “Eurothink”, thotë se rënia e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve po ndodh për një kohë të gjatë, në veçanti në sistemin e drejtësisë.

Pesëdhjetë e një për qind e të anketuarve janë përgjigjur se “institucionet po udhëheqin dobët luftën kundër korrupsionit”.

“Viteve të fundit kemi në vazhdimësi rënie të besimit tek institucionet, rënia përfshin thuajse të gjitha institucionet, por besim më të ulët këtë vit kemi regjistruar te drejtësia dhe prokuroria. Besimi në drejtësi është 6 për qind, në prokurori është 7 për qind. Vitin e kaluar besimi në këto dy degë ishte 8 për qind. Rënia është e vazhdueshme dhe kjo vërtetë është shqetësuese”, thotë Stojanovski.

Njohësi i çështjeve juridike, Bashkim Selmani, thotë se qytetarët në Maqedoninë e Veriut besonin në ngritjen e besimit në gjyqësor në vitin 2016, kur pati ndërrim të pushtetit pas aferës së përgjimeve nga qeverisja e para kësaj periudhe dhe aferave të shumta në vend. Por, këto shpresa, sipas tij, u shuan me shuarjen e Prokurorisë Speciale, e cila ishte formuar për hetimin e keqpërdorimeve të shumta nga zyrtarët.

Edhe drejtuesit e kësaj prokurorie ishin përfshirë në skandale korruptive, gjë që çoi në shpërbërjen dhe burgosjen e drejtuesve të saj.

“Maqedonia [e Veriut] është i vetmi shtet ku krimi dhe korrupsioni e goditi Prokurorinë Speciale për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjë që është një mesazh se këtu çdokush mund të bëjë krime dhe korrupsioni dhe askush të mos mbajë përgjegjësi. Krimi dhe korrupsioni shkakton krizë ekonomike dhe kjo e fundit ndërkohë vështirëson jetën e qytetarëve. Krimi dhe korrupsioni për çdo ditë janë në rritje e sipër dhe sa më shumë që rriten, aq më e vështirë është që të gjenden zgjidhje. Kjo nënkupton se krimi dhe korrupsioni po përcakton rregullat institucionale dhe fatin e qytetarëve”, thotë Selmani.

Sa i përket integrimit evropian, nga Qendra për Strategji Evropiane, thonë se hulumtimi ka nxjerr shifra rekord të ulëta sa i përket besimit dhe qëndrimit të qytetarëve të Maqedonisë ndaj BE-së dhe ndaj vetë procesit integrues. Në pyetjen se cili është qëndrimi i BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut, 65 për qind besojnë se është i padrejtë dhe shantazhues, ndërsa ata që mendojnë se është i drejtë janë vetëm 17 për qind, që shënon një rënie prej 20 për qind krahasuar me vitet e kaluara.

Këto rezultate shkojnë paralelisht me faktin se 33 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se Maqedonia e Veriut duhet të kërkojë model zhvillimor jashtë BE-së. Në të njëjtën kohë, 29 për qind e qytetarëve besojnë se Maqedonia e Veriut nuk do të anëtarësohet në BE.

Dyzet e dy për qind e të anketuarve besojnë se ekziston një shtet apo një organizatë ndërkombëtare që paraqet kërcënim për shtetin. Rusia është në vendin e dytë me 4 për qind. Shtetet e Bashkuara, si shtet mik i konsiderojnë 11.4 për qind e të anketuarve.

“Bullgaria konsiderohet armiku më i madh i Maqedonisë së Veriut dhe ky trend është në rritje të vazhdueshme. Nëse vitin e kaluar Bullgaria ishte në vendin e parë me 23 për qind të qytetarëve që mendonin se ishte armiku më i madh i vendit, këtë vit kjo përqindje është gati 28 për qind. Në të kundërt, Serbia konsiderohet si mikja më e madhe me 37 për qind, ndërsa 11.4 për qind si mikun më të madh”, deklaroi Dimitar Nikollovski, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Strategji Evropiane “Eurothink”.

Related posts

Ministria e Shëndetësisë vendosi model për raportin të efekteve të padëshiruara nga vaksinimi

Gazetamax.mk

Djali i Adem Jasharit i shkon në konak Bilall Kasamit në Tetovë

Gazetamax.mk

Qyteti i Shkupit me kallëzim penal kundër fabrikës së çimentos, USJE

Gazetamax.mk