GazetaMax
LAJME

Çështjet mjedisore nuk duhet të jenë asnjëherë dytësore, mbrojtje e parkut më të madh ndërkufitar në Evropë!

Shkup, 16 dhjetor – Se mjedisi nuk është çështje primare dhe nuk i kushtohet rëndësia e duhur në Maqedoninë e Veriut është dëshmuar shumë herë, madje duke pasur edhe rezultate katastrofale për sa i përket nivelit të ndotjes së ajrit. Në korrik të vitit të kaluar në Kuvendin e RMV-së me shumicën e 66 votave dhanë dritën jeshile për Ligjin e shpalljes së një pjese të Malit Sharr për park kombëtar. Ky mbase ishte vendimi i fundit më i dobishëm për mjedisin në nivel shteti, sepse me këtë vendim Mali Sharr u bë parku i katërt kombëtar. E pas këtij vendimi të duhur, sikurse u bë një “pushim” në interesimin e kujdesin për mjedisin. E së fundmi u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes RMV-së, Shqipërisë dhe Kosovës, në mbrojtjen e parkut më të madh ndërkufitar në Evropë, shkruan Zhurnal.

Mjedisi, shëndetësia e arsimi janë po të së njëjtës rëndësi-

Për çështjet shëndetësore e ato arsimore shpesh flitet e diskutohet për mangësitë dhe investimet që duhet bërë, por jo pak flitet edhe për mjedisin por që shihet që nuk është e mjaftueshme ajo që thuhet e bëhet për mjedisin. Mbase, për të funksionuar një shtet normal që është edhe shtet kandidat për anëtarësim në BE çështjet mjedisore nuk duhet t’i trajtojë asnjëherë si çështje dytësore.

Në Maqedoninë e Veriut Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor shpesh herë është udhëhequr nga njerëz jo adekuat e aspak kompetent, të cilët as idenë nuk e kishin se sa i rëndësishëm është ambienti e mjedisi për një shëndet fizik por edhe mental. Madje, në ndarjen e kulaçit qeveritar dhe kur partitë partnere në koalicionet qeverisëse këtë Ministri e kishin si “gomë rezervë” sa për ta bërë ndonjë ministër se për të çuar para çështjet e mjedisit reflekton se nuk është menduar e munduar ndonjëherë.

E këto mbase nuk janë komente e vlerësime koti, sepse po të njëjtën e thonë rezultatet e publikuara për nivelin e ndotjes së ajrit duke e radhitur Maqedoninë e Veriut shumë herë si shtetin me ajrin më të ndotur në Evropë. Në shumë qytete shpesh herë janë regjistruar vlera të larta të ndotjes së ajrit, përkatësisht prania e grimcave kancerogjene PM10 , duke arritur dhjetë herë nga niveli i lejuar.

E po të njëjtën e thotë edhe Komisioni Evropian, sipas të cilëve kapacitetet administrative në fushën e mjedisit, në të gjitha nivelet, mbeten të dobëta, me burime njerëzore dhe financiare të pamjaftueshme për zbatimin e legjislacionit, ndërsa puna e inspektimeve ka ndikim të vogël.

Maqedonia e Veriut duhet të forcojë dukshëm ambiciet e saj në lidhje me tranzicionin e gjelbër apo ekologjik, veçanërisht në kontekstin e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. Gjatë vitit të ardhshëm, vendi duhet të përshpejtojë veçanërisht përpjekjet për uljen e ndotjes së ajrit në nivel lokal dhe kombëtar, si dhe për të reduktuar ndotjen difuzive të burimeve të ujit të ëmbël. Për të zbatuar masat për krijimin e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbetjeve, veçanërisht në rajonet Lindore dhe Verilindore, si dhe për të zbatuar Marrëveshjen e Parisit, duke përfshirë miratimin e një ligji për klimën, në përputhje me Kornizën e BE-së 2030, citohet në raportin e këtij viti të Komisionit Evropian në lidhje me Kapitullin 27 – “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike”.

Ndryshe, fillimi i këtij viti e befasoi Shkupin duke u rikthyer ndotja e ajrit në shifra alarmante, me çka Shkupi ishte qyteti më i ndotur në botë, duke lënë pas kryeqytetet si Daka, Nju Delhi dhe Kalkuta, bazuar në faqet botërore të internetit për matjen e ndotjes së ajrit. Prania e grimcave PM10 dhe PM2.5 tani disa ditë është shumë herë mbi normat e lejuara, ndërsa në Shkup ka arritur në mbi 200 mikrogramë për metër kub.

Memorandum për mbrojtjen e parkut më të madh ndërkufitar në Evropë-

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë nënshkruar memorandumin për krijimin e një zone të mbrojtur të përbashkët mes këtyre tri shteteve të cilat kufizohet njëra me tjetrën. Ministrat e angazhuar për çështjet ekologjokike të shteteve në fjalë firmosën memorandumin i cili parasheh mbrojtjen e mjediseve të rajonit Korab-Koritni, Sharr, Mavrovë dhe Mali i Sharrit. Ministri i Mjedisit, i Planifikimit Hapësinor i dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu, nëpërmjet Facebook-ut, njoftoi se kjo bëhët kjo për t’i dhënë më shumë jetë parkut më të madh ndërkufitar në Evropë me një sipërfaqe që i kalon 240 mijë hektarë.

Ky memorandum i nënshkruar mes tre shteteve fqinjë është një shpresë për qytetarët e tre shteteve që tani çështjet e mjedisit po trajtohen me seriozitet duke i kushtuar rëndësi të veçantë, e më mirë se kaq, me anë të një bashkëpunimi trilateral.

Duke i vlerësuar çdoherë parqet nacionale si pasuri kombëtare vetëm në mënyrë deklarative, nga ministra që nuk bënin asnjë veprim të vetëm drejt mbrojtjes, zhvillimit, dhe investimit në këto parqe krijohej përshtypje se me të vërtetë në këtë vend përpos pasuritë e mjedisit janë jo funksionale. E tani përmes kësaj marrëveshjeje pritet të ketë një mbrojtje të veçantë ashtu si e kërkon mjedisi në përgjithësi, e këto parqe në veçanti.

Çka janë parqet kombëtare?

Parqet kombëtare në mënyrë të rreptë janë zona të mbrojtura që gëzojnë një status juridik të përcaktuar sipas ligjeve të vendit në të cilin ndodhen. Kjo situatë kërkon mbrojtjen dhe ruajtjen e florës dhe faunës së saj të pasur dhe të disa karakteristikave të veçanta përkatëse, të cilat zakonisht janë hapësira të mëdha të hapura që kufizojnë lëvizjen e njerëzve. Sepse qëllimi është mbrojtja, ruajtja dhe parandalimi i përkeqësimit të ekosistemeve që banojnë në këto hapësira dhe karakteristikave që u japin atyre identitet. Në mënyrë që brezat e ardhshëm të mund të shijojnë këto hapësira. /Zhurnal.mk

Related posts

Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ju drejtohet qytetarëve për fundvit

e-max

Gjatë vikendit me Covid janë infektuar 69 persona, 85 janë shëruar

e-max

Rrëzimi i ashensorit me 5 familjarë brenda, policia e Tiranës jep detaje

e-max