Tatimi mbi dividendin pritet të rritet nga 8% në 15%, duke shtuar barrën fiskale për bizneset që shpërndajnë fitimet te aksionerët. Qeveria synon të nxisë riinvestimin e fitimeve dhe të kufizojë shmangien e tatimeve, por mbetet e paqartë nëse masa do të japë efektet e pritshme. Ekonomisti Klodian Muço analizon ndikimin te kompanitë.
Nga 8% në 15%. Rritja e propozuar e tatimit mbi dividendin me 7 pikë përqindjeje pritet të ndryshojë llogaritë e kompanive për shpërndarjen dhe përdorimin e fitimeve. Për bizneset që zgjedhin t’ua shpërndajnë ato aksionerëve, masa do të thotë një barrë më e lartë tatimore.
Ekonomisti Klodian Muço analizon ndikimin që kjo ndërhyrje fiskale mund të ketë te bizneset dhe vendimmarrja e tyre për investimet.
Qeveria e argumenton propozimin me synimin për të rritur drejtësinë fiskale, për të kufizuar shmangien e tatimeve dhe për të nxitur mbajtjen e fitimeve brenda kompanive. Por mbetet për t’u parë nëse tatimi më i lartë do të sjellë më shumë investime apo thjesht do të ndryshojë kohën e shpërndarjes së dividendëve.
Ndikimi i masës pritet të jetë i ndryshëm nga një biznes te tjetri, veçanërisht për kompanitë që shpërndajnë rregullisht fitimet te aksionerët. Sipas ekspertit, në vlerësimin e kësaj politike duhet marrë parasysh edhe krahasimi i normës së tatimit me vendet e rajonit.
Ministria e Financave ka sqaruar se fitimet e realizuara gjatë vitit 2026 do të vazhdojnë të tatohen me normën 8%, edhe nëse shpërndahen vitin e ardhshëm. Norma e re prej 15% parashikohet të zbatohet për dividendët që burojnë nga fitimet e vitit 2027.
Efektet e kësaj mase do të varen nga mënyra se si bizneset do të përshtatin vendimet për shpërndarjen dhe riinvestimin e fitimeve, si dhe nga të ardhurat shtesë që do të gjenerohen për buxhetin e shtetit.
Burimi:botasot.info
